Vendosni fjalën kyçe....

Kush ishte Hassan Nasrallah, lideri i Hezbollahut i vrarë nga Izraeli, roli i tij në Lindjen e Mesme


Zëdhënësi i IDF-së, Daniel Hagari ditën e djeshme lajmëroi se forcat ajrore izraelite goditën selinë kryesore të Hezbollahut në kryeqytetin libanez të Bejrutit.

Mediat izraelite raportuan se lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah se ishte objektivi i sulmit, e pas një serie sulmesh ajrore të kryera nga forcat izraelite në Bejrut, Hezbollah konfirmoi sot vdekjen e liderit të tij, Hassan Nasrallah.

Por kush ishte Hassan Nasrallah?

Nasrallah ishte udhëheqësi i fraksionit politik dhe ushtarak të Hezbollahut.

Ai konsiderohet nga shumë njerëz si individi i vetëm më i fuqishëm në Liban me rreth 100,000 luftëtarë në dispozicion të tij.

Nasrallah kishte pasues të panumërt në të gjithë botën arabe dhe islame, por ai shihej si një ekstremist në pjesën më të madhe të Perëndimit.

Rëndësia e tij nuk kufizohej vetëm në Liban, por ai ishte udhëheqësi më me ndikim brenda Boshtit të Rezistencës së Iranit.

Nasrallah u lind në Bejrut në vitin 1960, ku u përshkrua si një student i devotshëm dhe i motivuar i Islamit.

Ai iu bashkua Hezbollahut në vitin 1982. 64-vjeçari udhëhoqi Hezbollahun në luftëra kundër Izraelit dhe mori pjesë në konfliktin në Sirinë fqinje.

Pas një tentative për jetën e tij në vitin 2006, Nasrallah kaloi vite të tëra i fshehur nga frika e një atentati nga Izraeli.

Si erdhi ai në pushtet?

I lindur në një familje të varfër shiite në periferinë e varfër të Bejrutit, Sharshabouk, Nasrallah më vonë u zhvendos në Libanin jugor.

Pasi studioi teologji, ai iu bashkua lëvizjes Amal, një organizatë politike dhe paraushtarake, përpara se t’i bashkohej Hezbollahut në vitin 1982.

Hezbollahu u formua nga anëtarë të Gardës Revolucionare iraniane, të cilët udhëtuan në Liban në verën e vitit 1982 për të luftuar forcat pushtuese izraelite.

Dy ditë pasi udhëheqësi i saj i atëhershëm, 39-vjeçari Sayyed Abbas Musawi, u vra në një sulm me helikopter izraelit në Libanin jugor, Hezbollah zgjodhi Nasrallah si sekretarin e ri të përgjithshëm në shkurt 1992.

Djali i madh i Nasrallah, Hadi, u vra në vitin 1997, ndërsa luftonte kundër forcave izraelite.

Nën udhëheqjen e Nasrallahut, Hezbollahut vlerësohet se ka udhëhequr luftën e shkatërrimit që çoi në tërheqjen e trupave izraelite nga Libani jugor në vitin 2000.

Ndërsa Izraeli, dhe më vonë Siria, tërhoqën ushtritë e tyre nga Libani, Nasrallah filloi ta drejtonte Hezbollahun gjithnjë e më shumë në fushën e politikës. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, të parat pasi Siria tërhoqi trupat ushtarake prej 29 vitesh në Liban, Hezbollahu bëri arritje të konsiderueshme dhe iu bashkua kabinetit për herë të parë, duke mbajtur dy vende.

Pas kësaj fitoreje, statusi i tij u rrit dhe u forcua më tej në vitin 2006, gjatë luftës 34-ditore me Izraelin, ku Hezbollahu hodhi rreth 4,000 raketa në Izrael.

Gjithaashtu ai u kritikua nga një pjesë e mirë pasi e akuzonin si shkaktarin e nisjes së luftës, ku mbetën të vrarë  më shumë se 1200 njerëz në Liban, prej të cilëve shumica ishin civilë dhe 159 njerëz në Izrael.

Nasrallah më vonë shprehu keqardhje. Gjatë një interviste televizive Nasrallah tha se Hezbollahu nuk kishte pritur “as edhe 1%” që kapja e ushtarëve izraelitë “do të çonte në një luftë të kësaj përmasash”.

“Ju më pyesni, nëse do ta dija që operacioni do të çonte në një luftë të tillë, a do ta bëja? Unë them jo, absolutisht jo”, tha ai.

Megjithatë, popullariteti i tij u godit kur shpërtheu lufta civile në Siri në vitin 2011 dhe luftëtarët e Hezbollahut u vërsulën dhe u rreshtuan me forcat e Asadit edhe pse ai u përjashtua nga bota arabe.

Roli në luftën Izrael-Hamas

Një ditë pas sulmeve të 7 tetorit në Izrael, Hezbollahu filloi të sulmonte postet ushtarake izraelite përgjatë kufirit dhe ta quante atë një “front rezervë” për Gazën.

Sulmi i udhëhequr nga Hamas vrau rreth 1200 njerëz në Izrael dhe mori peng rreth 250 të tjerë. Bombardimet e mëvonshme ajrore të Izraelit dhe pushtimi tokësor i Rripit të Gazës vranë dhjetëra mijëra palestinezë.

Në qershor 2024, Nasrallah paralajmëroi se Hezbollahu kishte një numër shumë më të lartë luftëtarësh sesa shifra prej 100,000 që ai kishte dhënë tre vjet më parë.

Nasrallah deri në vdekjen e tij mbajti titullin “Sayyed”, një nderim që synonte të nënkuptonte prejardhjen e klerikut shiit që daton që nga profeti Muhamed.

VINI RE: Materialet e përdorura për këtë artikull janë pronësi intelektuale e Sky News dhe Abc News

Përgatiti për Hashtag.al, Aurora Hoxha