Ruanda ka konfirmuar gjashtë vdekje dhe 20 raste të sëmundjes Marburg që nga fillimi i epidemisë, tha ministri i Shëndetësisë i vendit Sabin Nsanzimana të shtunën vonë.
Shumica e viktimave janë punonjës shëndetësorë në njësinë e kujdesit intensiv, tha Nsanzimana në një deklaratë video të postuar në X.
“Po numërojmë 20 persona të infektuar dhe gjashtë që tashmë kanë ndërruar jetë nga ky virus. Shumica e rasteve dhe vdekjeve janë në mesin e punonjësve të kujdesit shëndetësor, kryesisht në repartin e kujdesit intensiv”, tha ministri i Shëndetësisë.
Sëmundja Marburg, një ethe hemorragjike virale, mund të shkaktojë vdekje mes pacientëve, me simptoma që përfshijnë dhimbje koke të forta, të vjella, dhimbje muskujsh dhe dhimbje stomaku, tha ministria.
Institucionet dhe partnerët po punojnë për të gjurmuar ata që kanë qenë në kontakt me individët e prekur nga virusi, shtoi ministri.
Me një shkallë vdekshmërie deri në 88%, Marburg është nga e njëjta familje virusesh si ajo që është përgjegjëse për Ebola dhe transmetohet te njerëzit nga lakuriqët e natës. Më pas përhapet përmes kontaktit me lëngjet trupore të njerëzve të infektuar.
Tanzania fqinje kishte raste të Marburgut në 2023, ndërsa Uganda kishte të ngjashme në 2017.