Kreu i PD-së Berisha akuzoi kryeministrin Rama për burgosjen e deputetit të PD-së Ervin Salianji.
Në një deklaratë për mbështetësit nga shtëpia, ai tha se Salianji u burgos pasi tha të vërtetën dhe se denoncoi lidhjet e qeverisë me krimin dhe si shpërblim mori hakmarrjen e Fatmir Xhafajt.
“Dy ditë më parë deputeti guximtar Ervin Salianji, politikan që s’ka qenë kurrë në pushtet dhe s’ka pasur fonde publike apo poste qeveritare u dënua me burg. Iu hoq liria sepse guxoi të bëjë detyrën e tij duke denoncuar publikisht vëllazërinë më të rrezikshme të mafias së drogës së atyre viteve. Shqiptarët nuk duhet të qëndrojnë në mbrojtje, ata presin nga ne sulm e revoltë. Salianji politikan që e nisi karrierën në opozitë. Ai u burgos se tha të vërtetën dhe mori si shpërblim hakmarrjen e Xhafajt. Edi Rama kishte si qëllim zhdukjen e opozitës.” – tha Berisha.
Deputeti i PD-së Salianji u vetëdorëzua tre ditë më parë pasi Apeli i Gjykatës së Posaçme la në fuqi dënimin me një vit burg për kallëzim të rremë lidhur me audiopërgjimin ku pretendohej se ishte vëllai i Fatmir Xhafajt, Agron Xhafaj, i cili i ofronte ndihmë Albert Veliut për një rrugë me drogë.
Pas kësaj Agron Xhafaj u vetëdorëzua te autoritetet dhe u nis drejt Italisë ku vuan dënimin me burg për trafik droge.