Luanët në strehën e kafshëve të egra të “Glen Garriff Conservation” (GG Conservation) në Harrismith, Afrika e Jugut, po përballen me reshje të mëdha bore këtë shtator, një ngjarje e pazakontë për felinët e mëdhenj.
Drejtuesit e strehës raportuan se kafshët madhështore ishin të intriguara dhe të kujdesshme ndërsa eksploronin peizazhin. Suzanne Scott e GG Conservation kapi pamjet e luanëve duke lëvizur mes borës. Sipas një postimi në llogarinë e shenjtërores në Instagram, kafshët rrallë hasin në një mjedis të tillë dhe ishin magjepsur nga “gjërat e reja që binin nga qielli”.
Reshjet e borës nisën të shtunën, duke rënduar shumë lëvizjen në autostradën kryesore N3 që lidh Johanesburgun dhe qytetin bregdetar Durban. Reshjet e dendura të borës ndaluan plotësisht trafikun, duke lënë të bllokuar drejtuesit dhe pasagjerët.
Drejtuesit e mjeteve shprehën shqetësimin, duke raportuar se ndiheshin të pafuqishëm dhe të pambrojtur për shkak të bllokimit të papritur.
Të premten, SAnews raportoi se Shërbimi i Motit të Afrikës së Jugut (SAWS) kishte parashikuar një rënie të ndjeshme të temperaturave dhe mundësinë e një reshje tjetër bore mbi rajonet e larta të provincave të Kepit Perëndimor, Kepit Lindor dhe KwaZulu-Natal në ditët në vijim, duke filluar nga e diela.