Vendosni fjalën kyçe....

Basha thyen heshtjen, flet në KiE për burgosjen e Salianjit: E arrestuan edhe pse ai që e denoncoi rezultoi të ishte i dënuar


Ish-kryetari i PD, Lulzim Basha, ka vendosur të thyejë heshtjen ditën e sotme, në lidhje me dënimin dhe burgosjen e deputetit Ervin Salianji.

Basha ka folur gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Popullore Europiane në KiE, ndërsa detajet i ka bërë publike përmes një postimi në rrjetet sociale.

Basha shkruan se gjatë kësaj mbledhje në KiE ka diskutuar për disa çështje të rëndësishme mbi gjendjen e shtetit të së drejtës në Shqipëri, si bazament i demokracisë dhe zhvillimit të vendit.

Ai ka marrë si shembull mos respektimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës dhe arrestimin e deputetit të opozitës Ervin Salianji me akuzën e kallëzimit të rremë.

“Ndërkohë që vëllai i ish-ministrit Xhafaj rezultoi të ishte i dënuar dhe vetë ministri subjekt i ligjit anti-mafia”, thekson Basha, ndërsa kërkon që këto zhvillime “të kenë vëmendjen e Komisionit të Venecias dhe KiE, për forcuar përpjekjet e përbashkëta në lidhje me sfidat me të cilat përballen shteti i së drejtës, sundimi i ligjit në Shqipëri”.

 

Postimi i plotë i Bashës:

Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Popullore Europiane, në Këshillin e Europës. Seanca me Sekretaren e Komisionit të Venecias në këtë takim më dha mundësinë të shtroja për diskutim disa çështje të rëndësishme mbi gjendjen e shtetit të së drejtës në Shqipëri, si bazament i demokracisë dhe zhvillimit të vendit.

Nevoja për të çuar përpara vettingun në politikë, të bllokuar nga mazhoranca por i mbështetur në parim nga Komisioni i Venecias; kriza kushtetuese e nxitur nga mosrespektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes Xhaçka, si dhe arrestimi i deputetit të opozitës Ervin Salianji me akuzën e kallëzimit të rremë, ndërkohë që vëllai i ish-ministrit Xhafaj rezultoi të ishte i dënuar dhe vetë ministri subjekt i ligjit anti-mafia, janë çështje që meritojnë vëmendjen e Komisionit të Venecias dhe KiE, për forcuar përpjekjet e përbashkëta në lidhje me sfidat me të cilat përballen shteti i së drejtës, sundimi i ligjit dhe demokracia funksionale në Shqipëri.