Vendosni fjalën kyçe....

Ministri ukrainas i Mbrojtjes shkarkon katër zv.ministrat


Ministri ukrainas i Mbrojtjes Rustam Umerov ka shkarkuar katër nga zëvendësit e tij, për “përpjekje të papranueshme për ndikim” në departamentin e tij.

Njoftimi të martën në mëngjes vjen mes thashethemeve se vetë Umerov mund të humbasë punën e tij për një konflikt të raportuar me Andrey Yermak, kreun e fuqishëm të administratës presidenciale.

Duke shpjeguar vendimin e tij, Umerov e përshkroi Ministrinë e Mbrojtjes si një “perimetër të mbyllur” që duhet të funksionojë pa ndërhyrje të jashtme. Katër zyrtarët e shkarkuar janë Stanislav Gayder, Aleksandr Sergiy, Yury Dzhigir dhe Lydmila Daragan.

Gayder u emërua zëvendësministër tetorin e kaluar dhe mbikëqyri çështjet e zhvillimit institucional në ministri. Ai ka shërbyer më parë në agjencinë kombëtare kundër korrupsionit dhe tani do kalojë në një pozicion tjetër në Ministrinë e Mbrojtjes për të shërbyer si shef i shtabit të Umerov.

Sergiy është një inxhinier ushtarak, i cili ka qenë specialist i logjistikës në Ministrinë e Mbrojtjes që nga korriku. Dzhigir ka punuar më parë në Ministrinë e Financave dhe u emërua zëvendësministër i Mbrojtjes në shtator 2023, kur Umerov mori ministrinë nga paraardhësi i tij, Aleksey Reznikov.

Daragan shërbeu si zëvendës i Umerov kur ai drejtonte Agjencinë Shtetërore të Pasurive të Ukrainës dhe u transferua në Ministrinë e Mbrojtjes bashkë me Umerov.

Përveç ndryshimeve të personelit, Umerov njoftoi reforma në kompaninë shtetërore përgjegjëse për tregtinë ndërkombëtare të armëve dhe departamentet e ministrisë për logjistikën dhe prokurimin.

Lëvizja vjen mes thashethemeve për rritje të tensioneve midis Yermak dhe zyrtarëve të lartë ushtarakë, duke përfshirë Umerov dhe Kirill Budanov, kreun e inteligjencës ushtarake ukrainase. Spekulimet u shkaktuan nga shkarkimi javën e kaluar të dy prej zëvendësve të Budanovit, të cilin Umerov thuhet se e urdhëroi pa u konsultuar me shefin e spiunazhit. Burimet e cituara nga mediat pohuan se Umerov mund të mbante detyrën duke sakrifikuar disa nga zëvendësit e tij.