Vendosni fjalën kyçe....

Shefi i BlackRock thotë se Evropa ka nevojë për treg të unifikuar bankar


Shefi Ekzekutiv i BlackRock, Larry Fink, i kërkoi Evropës të vijojë të unifikojë tregun e saj bankar, duke mos komentuar mbi një kombinim të mundshëm të Commerzbank AG dhe UniCredit SpA.

“Evropa ka nevojë për një sistem më të fortë të tregjeve të kapitalit dhe ka nevojë për një sistem bankar më të unifikuar”, tha Fink në një intervistë në konferencën e Dialogut Global të Berlinit të martën, kur u pyet për pikëpamjet e tij mbi një bashkim të mundshëm të dy huadhënësve.

Ai shtoi se nuk do dëshironte të komentonte mbi “ndonjë veprimtari” që ndodh midis dy kompanive, veçanërisht pasi kompania e tij është aksionere në të dyja. BlackRock është investitori më i madh i UniCredit dhe investitori i tretë më i madh i Commerzbank.

Komentet nga kreu i menaxherit më të madh të parave në botë vijnë pasi UniCredit së fundmi rriti aksion në 21% në Commerzbank. Andrea Orcel,drejtor ekzekutiv i huadhënësit italian, ka thënë se një blerje e plotë është një mundësi, duke e komentuar qasjen e tij si një “rast provë për Evropën”.

Por mënyra se si Unicredit rriti me shpejtësi aksionet ka zemëruar qeverinë gjermane, e cila zotëron 12% në Commerzbank. Kancelari Olaf Scholz e krahasoi atë me një veprim “jomiqësor”. Italia ka mbështetur UniCredit dhe tha se një marrëveshje e mundshme do ishte në përputhje me synimet e Bashkimit Evropian për rritjen e integrimit.

Drejtorët e përgjithshëm të dy bankave, Orcel dhe Bettina Orlopp, patën një takim të premten ku Orlopp shpjegoi strategjinë e saj për bankën gjermane, ka raportuar Bloomberg.