Avokatët e ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili po gjykohet për shpërthimin e ndodhur në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec, kanë kërkuar riekspertim të pjesshëm për llogaritjen e kostos së dëmeve për demontimin e municoneve në Fabrikën e Poliçanit.
Seanca e radhës, pas asaj të sotmes që zgjati rreth 3 orë, është caktuar për në 9 tetor.
Avokati i Mediut, Henrik Ligori, kundërshtoi aktekspertimin ekonomiko-financiar si edhe përgjigjet e ekspertëve seancën e kaluar.
“Kemi objeksione mbi aspektin e formës dhe përmbajtjes së aktekspertimit ekonomiko-financiar. Ekspertët nuk e kanë pasur një cilësi të tillë. Ata e kanë pohuar edhe vetë që nuk janë ekspertë, por vetëm specialistë, që janë ftuar nga prokuroria për të dhënë një mendim. Në këtë akt ekspertimi ekspertët janë jashtë kontekstualitetit të fakteve. Ekspertët nuk marrin në konsideratë asnjë faktor tjetër që ka ndikuar këto 15 vite në trajtimin e konkluzioneve të tyre. Demontimi i municioneve nuk është një proces që nisi dhe mbaroi me Gërdecin. Është një proces që ka ndodhur edhe para edhe pas tij. Ekspertët janë thirrur për të dhënë një mendim në fushën e shkencës dhe për të dhënë një mëndim shkencor. Ekspertët thonë qe procesi i demontimit në fabrikën e Poliçanit, është një proces që dilte me fitim. Atëherë nëse dilte me fitim, pse shteti në vijim vetëm ka shpenzuar dhe nuk ka fituar. Ne i qëndrojmë faktit që procesi i demontimit kishte kosto dhe humbje për shtetin”, tha avokati.