Kreu demokrat Sali Berisha shpalli mbrëmjen e së shtunës se protesta e 7 tetorit do të shndërrohet në një mosbindje civile masive. Ai e cilësoi këtë protestë si betejën e jetës për çdo opozitar dhe një mundësi për t’u përballur me regimin që, sipas tij, ka shndërruar procesin e votimit në një farsë elektorale dhe ka rikthyer persekutimin politik në Shqipëri.
Berisha nënvizoi se kjo është një ditë që simbolizon guximin qytetar dhe përballjen me krimin dhe antivlerat e qeverisë së Edi Ramës.
Ai theksoi se është koha për të reaguar kundër fshirjes së të drejtës së votës dhe që të përballen me regjim të tillë.
“Për Edi Ramën, organizatën e tij kriminale qeveri, narkozyrtarët e tij, në këtë moment që flasim gjëja më e tmerrshme është ora e cila me tik-takun e saj afron në çdo sekondë 7 tetorin, orën 18:00 të 7 tetorit, ditën e mosbindjes civile masive, ditën e triumfit të guximit qytetar, ditën e përballjes së madhe të vlerave të qytetarëve, trimërisë dhe guximit të tyre me krimin, drogën, antivlerat e regjimit të Edi Ramës.
Demokrate e demokratë, qytetare e qytetarë, beteja që nisim është beteja e jetës sonë.
Është shansi i jetës sonë.
Është shansi ynë për t’u përballur me guximin tonë me një regjim që pasi shndërroi procesin themelor të shoqërisë së lirë, votën e lirë në farsë elektorale, riktheu në Shqipëri burgjet, gjyqet, persekutimin politik.
Farsa elektorale, mohimi i të drejtës së votës përmes farsës elektorale dhe persekutimi politik i kundërshtarëve janë dy shtylla kryesore mbi të cilat bazohen diktaturat, qofshin ato naziste, komuniste, teokratike apo diktatura e bandave siç është kjo e Tiranës”, tha Berisha.