Vendosni fjalën kyçe....

Vizita e presidentit Erdogan në Tiranë, policia publikon planin e masave dhe rrugët që do të bllokohen


Policia e Tiranës ka shpallur një plan masash për të siguruar vizitën e Presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, i cili pritet të vijë nesër për inaugurimin e Xhamisë së Namazgjasë. Në kuadër të këtij plani, do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore në qytet dhe në drejtim të aeroportit të Rinasit.

Drejtuesit e automjeteve janë të inkurajuar të përdorin autostradën e re Kashar – Rinas për të shmangur bllokimet, pasi aksi i vjetër Kashar – Rinas do të jetë i mbyllur nga ora 10:00 deri në 11:30, si dhe nga ora 17:00 deri në 18:00. Bllokime të tjera do të ndodhin në rrugët nga Rinasi deri në Qafë të Kasharit, Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, si dhe në disa rrugë të tjera të qytetit.

Policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për këto masa dhe i siguron ata se po punohet për sigurinë dhe normalitetin e situatës gjatë vizitës.

Njoftimi i policisë:

Në kuadër të vizitës në Shqipëri, të Presidentit të Turqisë, z. Recep Tayyip Erdoğan, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka marrë një sërë masash të detajuara për sigurinë e vizitës së Presidentit të Turqisë z. Recep Tayyip Erdoğan, duke filluar nga aeroporti i Rinasit, shoqërimi drejt Tiranës në vendet ku do të zhvillohen takimet dhe shoqërimi drejt Rinasit, në përfundim të vizitës.

Një nga masat e planit të detajuar konsiston në sigurimin e vizitës të presidentit të Turqisë, z. Recep Tayyip Erdoğan, i cili do të zhvillojë takime në datën 10 tetor 2024, në qytetin e Tiranës.

Në këtë kuadër, Policia e Shtetit njofton qytetarët se do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve të tjera, në varësi të takimeve dhe aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë vizitës, në Tiranë.

Drejtuesit e automjeteve të shfrytëzojnë autostradën e re Kashar – Rinas, për të qarkulluar në drejtim të aeroportit të Rinasit, pasi aksi i vjetër Kashar – Rinas nga ora 10:00 deri në 11:30, si dhe nga ora 17:00, deri në orën 18:00, të datës, 10.10.2024, do të jetë i bllokuar.

Rrugë të tjera që do të bllokohen janë:

Nga Rinasi – Qafa e Kasharit – Mbikalimi tek Casa Italia – nënkalimi te ish-sheshi “Shqiponja”, Unazë (Astir) – Rrethrrotullimi i Saukut, Rruga e Elbasanit.

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga Ura te ish Hotel Dajtit deri te sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, rruga “Papa Gjon Pali II”, rruga “Ibrahim Rugova” rruga “Ukraina e Lirë”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe rruga “Xhorxh Bush”.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për masat që ka ndërrmarrë dhe do të zbatojë gjatë vizitës së z. Recep Tayyip Erdoğan.