Vendosni fjalën kyçe....

Anulimi i seancës, PD: Vendim antikushtetues i Spiropalit, Kuvendi s’është qelia personale e Pëllumb Gjokës


Grupi Parlamentar i PD-së e ka quajtur vendim antikushtetues vendimin e kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali dhe deputetëve të PS-së për shtyrjen e seancës së sotme në Kuvend.

Në një deklaratë për mediat, demokratët theksojnë se anulimi i seancës nga Spiropali është vendim antikushtetues dhe bie ndesh me parimet demokratike.

Më tej deklarata vëren se parlamenti nuk është qelia personale e Pëllumb Gjokës që hapet e mbyllet sipas nevojës sa herë që dëshiron ai.

“Kuvendi i Shqipërisë është institucion kushtetues, që funksionon sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit. Seanca plenare dhe plani i punës së Kuvendit miratohen nga Konferenca e Kyetarëve me mirëkuptim apo nga seanca plenare, që ka përcaktuar me vendim se dita e enjte, datë 10 Tetor 2024, është ditë për mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare. Kryetarja e Kuvendit ka vetëm detyrimin për të caktuar çështjet qe trajtohen, pra Rendin e Ditës.

Anullimi i seancës me vendim personal të Elisa Spiropalit është antikushtetues dhe bie ndesh me çdo parim demokratik të funksionimit të Parlamentit. Kuvendi nuk është qelia personale në burg e Pëllumb Gjokës, që për shkak të lidhjeve me pushtetin, ai e hap e mbyll sa herë dëshiron. Kuvendi është tempulli i përfaqësimit të qytetarëve, që nuk mund të trajtohet kurrë si qelia e Pëllumb Gjokës.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dënon me forcë sjelljen e Kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali, që hap e mbyll punimet e Kuvendit, pa asnjë konsultim, pa ndjekur asnjë rregull, duke shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, dhe duke e shndërruar zyrtarisht Parlamentin e Shqipërisë në qelinë personale në burg ku strehohet Pëllumb Gjoka apo të ngjashmit e tij.” – thuhet në reagimin e PD.