Kryetarja e Kuvendit Spiropali i është përgjigjur deklaratës së grupit parlamentar të PD-së që e akuzonte për shkelje të Kushtetutës lidhur me anulimin e seancës plenare.
Në reagimin zyrtar të Spiropalit thuhet se komunikata e PD-së është vijim i sulmeve xç’njerëzore ndaj saj si ato me këmba karrigesh në seancën e shkuar.
Në fund të reagimit thuhet se sulmet degraduese nga opozita nuk do e pengojnë atë të bëjë punën e saj.
“Kryetarja e Kuvendit, shpreh keqardhje të sinqertë për komunikatën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, e cila është vazhdë e sulmeve jonjerëzore, përveçse antidemokratike me këmbë karrigesh mbi të, gjatë kryerjes së detyrës. Kryetarja e Kuvendit e fton Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike dhe posaçërisht autorin e goditjes me këmbë karrigeje, si edhe të kësaj komunikate goditëse me gjuhën e shpifjes, të reflektojnë mbi degradimin etik që po karakterizon veprimtarinë e tyre. Kryetarja e Kuvendit e siguron Kuvendin dhe zgjedhësit se këto shfaqje degraduese të pakicës së të zgjedhurve, as nuk e intimidojnë dhe as nuk e pengojnë dot të kryejë me përkushtim, drejtësi dhe besnikëri të palëkundur ndaj rregullave të Kuvendit, rolin e saj institucional.” – thuhet në reagimin e Spiropalit.