Vendosni fjalën kyçe....

Gjermani/ Evakuohen spitalet dhe mijëra banesa në Këln, pasi zbulohet një bombë e luftës së dytë botërore


Autoritetet në qytetin gjerman të Këlnit kanë evakuuar tre spitale dhe mijëra banesa pas zbulimit të një bombe të pashpërthyer të Luftës së Dytë Botërore gjatë punimeve ndërtimore për një kampus të ri mjekësor.

Bomba ajrore 1,000 kg, e prodhimit amerikan, e pajisur me detonator përpara dhe prapa, pritet të çaktivizohet të premten, përcjell The Guardian.

Procedura komplekse e evakuimit ka qenë në përgatitje që kur filluan punimet e gërmimit rreth gjashtë muaj më parë, për shkak të frikës se do të gjendeshin pajisje të pashpërthyera.

Një zonë evakuimi prej 500 metrash është përcaktuar rreth zonës ku ndodhet bomba. Autoritetet e qytetit thonë se ekspertët kanë sugjeruar që mund të ketë edhe tetë bomba të tjera të pashpërthyera në vend, por kjo mund të përcaktohet vetëm me gërmime të mëtejshme.

Operacioni i evakuimit, ku morën pjesë rreth 1,300 punonjës të rendit të qytetit, policia, zjarrfikësit, personeli i shërbimit të emergjencës dhe 800 vullnetarë, është përshkruar si operacioni më i madh dhe më i ndërlikuar i këtij lloji që nga viti 1945.

Dy spitale u evakuuan të enjten, ndërsa një i tretë u pastrua të premten në mëngjes, së bashku me deri në 10,000 banorë që u udhëzuan të largoheshin nga apartamentet e tyre.

Pacientët u transferuan në spitale të tjera në qytet ose në një strehë të përkohshme, ndërsa banorëve iu dha strehim në ndërtesat shkollore pranë zonës së evakuimit.

Në Këln, evakuimet për shkak të zbulimit të bombave janë një dukuri e zakonshme për shkak të sulmeve të shumta që qyteti ka pësuar gjatë Luftës së Dytë Botërore, një situatë e ngjashme edhe në qytete të tjera të mëdha të Gjermanisë, përfshirë Berlinin.