Kandidatja demokrate për presidente, Kamala Harris, ka publikuar dokumentet e saj mjekësore në një përpjekje për të treguar qëndrueshmërinë e saj fizike dhe mendore, duke bërë një kontrast të qartë me rivalin e saj republikan, Donald Trump.
Sipas një letre nga mjeku i Harris, ajo “ka qëndrueshmërinë e nevojshme për të shërbyer si presidente e SHBA-ve.”
Zëdhënësit e fushatës së Harris sfiduan publikisht Trump-in që të publikojë dhe ai dokumentet e tij mjekësore, duke thënë “Rradha jote, Donald Trump.”
Nga ana tjetër, fushata e Trump-it deklaroi se mjekët e tij kanë arritur në përfundimin se ai “gëzon shëndet të përkryer dhe është në gjendje të përmbushë detyrën e Komandantit të Përgjithshëm.”
Gjatë një mitingu të mbajtur të premten, Trump përsëriti pretendimet e tij për të ashtuquajturit migrantë kriminalë venezuelianë që sipas tij, kanë sjellë krime në qytetin Aurora, Colorado, sipas BBC.
Këto komente janë kritikuar nga kryetari i bashkisë së qytetit, Mike Coffman, i cili i përshkroi pretendimet si “tejet të ekzagjeruara.”
Ndërkohë, sondazhet kombëtare tregojnë një avantazh të lehtë të Harris përballë Trump-it, por shifrat në shtetet kyçe janë tejet të ngushta, duke bërë që beteja për zgjedhjet presidenciale të jetë ende e hapur.