Vendosni fjalën kyçe....

E shpallur në kërkim për trafik narkotikësh nga Italia, arrestohet në Durrës 45-vjeçarja


Një 45-vjeçare është arrestuar në Durrës pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet italiane për trafik narkotikësh në kuadër të organizatës kriminale.

Policia vuri në pranga shtetasen Edisnarda alias Edisnajda Shapka, pasi gjykata e Bolonjës i ka caktuar masën “arrest me burg”.

Si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore për vendndodhjen e një shtetaseje të shpallur në kërkim ndërkombëtar për llogari të Italisë, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, gjatë operacionit policor të koduar “Operacionalja 19”, kapi në qytetin e Durrësit dhe vuri në pranga, me qëllim ekstradimi, shtetasen E.Sh., alias E.Sh., 45 vjeçe, lindur dhe banuese në Durrës.

Gjykata e Bolonjës i ka caktuar kësaj shtetaseje masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në kuadër të organizatës kriminale.

Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, për ta ekstraduar këtë shtetase në Itali”, njoftoi Policia e Shtetit.