Vendosni fjalën kyçe....

Sfida ekzistenciale e Evropës, thuajse i ka mbaruar koha për të shpëtuar veten – Bloomberg


Projekti europian po i afrohet një pike kulmore. Një përzierje e paralizës politike, kërcënimeve të jashtme dhe gjendjes së keqe ekonomike po kërcënon t’i japë fund ambicieve të Bashkimit Evropian për t’u bërë një forcë globale më vete, duke i shtyrë vendet anëtare drejt mbrojtjes së interesave të tyre.

Pas dekadash paralajmërimesh dhe rritjeje nën nivelin e pritshëm, krerët e rajonit po përballen befas me një breshëri provash se rënia po bëhet e pandalshme.

Presidenti eurofil i Francës i ka dorëzuar të djathtës ekstreme të drejtën e vetos mbi qeverinë e tij; Prodhuesi më i madh gjerman i makinave po flet për mbylljen e fabrikave në shtëpinë e tij në Gjermani për herë të parë; Gjigantët e teknologjisë amerikane po i kthejnë shpinën tregut evropian për shkak të kufizimeve të reja në inteligjencën artificiale.

Marine Le Pen, qendër, në parlament gjatë një fjalimi të kryeministrit të ri Michel Barnier në Paris, më 1 tetor

Të gjitha këto zhvillime mbështesin dështimin e BE-së për të vepruar si një bllok ekonomik koheziv dhe dinamik, duke gërryer statusin e saj dhe duke degraduar kapacitetin e saj për t’iu përgjigjur një game të gjerë kërcënimesh nga politika industriale kineze te agresioni ushtarak rus, apo edhe një administratë antagoniste e ardhshme në SHBA.

Apatia ose reagimi i kohëve të fundit nga qeveritë pas thirrjes zgjuese të ish-kryeministrit italian Mario Draghi për më shumë investime dhe lidhje të përbashkëta për të luftuar rritjen e dobët të produktivitetit, nënvizojnë sesi rajoni ka hequr dorë nga përpjekjet.

“Nëse dëshironi të jeni një fuqi gjeopolitike, atëherë fuqia ekonomike është përbërësi kryesor,” thotë Guntram Wolff, një profesor në Universitetin e Lirë në Bruksel dhe bashkëpunëtor i lartë në institutin e mendimit Bruegel.

“Rritja e produktivitetit ka qenë një fatkeqësi. Evropa është ende e pasur, por këto hendeqe gjatë 20 viteve kanë implikime të mëdha.”

Problemi themelor është se bota po përjeton ndryshime dramatike të prishjes klimatike, ndryshimeve demografike dhe kalimit drejt një ekonomie post-industriale, të gjitha dukuri ku aftësia dhe vullneti i Evropës për t’u përgjigjur janë duke mbetur prapa.

Anëtarët e sindikatës demonstrojnë në Hanover, Gjermani, më 25 shtator. Volksëagen po shqyrton mbylljen e fabrikave në Gjermani për herë të parë

Rivalët gjeopolitikë të rajonit po kërkojnë t’i shfrytëzojnë ato shndërrime, ndërsa shumë nga anëtarët më të mëdhenj të BE-së janë të ngarkuar me modele ekonomike që nuk kanë arritur të ofrojnë rritje për një kohë të gjatë si dhe dhe votues të shqetësuar që nuk duan të përqafojnë alternativa.

“Diçka po ndryshon dramatikisht shumë, shumë thellë në këtë botë,” tha ish-presidenti polak Aleksander Kvasnieëski në një intervistë.

“Ne nuk jemi në gjendje të reagojmë siç duhet, sepse jemi shumë të ngadaltë.”

Sigurisht, Kina po lufton me ngadalësimin e saj ekonomik dhe SHBA-ja po shkon drejt një zgjedhjeje potencialisht shkatërruese me financat e saj publike në një bazë të paqëndrueshme. Por të dyja këto vende kanë sisteme që centralizojnë vendimmarrjen në një masë të madhe dhe sjellin sasi të mëdha kapitali privat ose publik për mbrojtjen dhe investimet në teknologjinë më të përparuar.

Evropa nuk ka asnjë nga këto përparësi dhe kjo është gjithnjë e më e dukshme.

Sigurisht, standardet e jetesës në ekonomitë e saj të pasura nuk janë në prag të kolapsit. Disa vende mund të përfitojnë nga marrëveshjet e investimeve ose tregtare me SHBA-në, Kinën ose Rusinë. Por sa më gjatë të vijojnë ecuritë e tanishme, aq më e madhe do të bëhet cenueshmëria e Evropës ndaj goditjeve dramatike.

 “Unë me të vërtetë besoj se jemi në rrezik”, tha presidenti francez Emmanuel Macron në fillim të këtij muaji në një panel në Berlin.

“Në dy-tre vitet e ardhshme, nëse ndjekim axhendën tonë klasike, do jemi jashtë tregut. Nuk kam asnjë dyshim për këtë.”

Këto rreziqe kanë filluar të kristalizohen për BE-në tashmë, pasi varësia e bllokut nga ekonomia kineze rritet, edhe përkundër një numri në rritje mosmarrëveshjesh me Pekinin.

Macron argumenton se humbja e karburanteve ruse të lira që nga pushtimi i Ukrainës në 2022 dhe ardhja e politikës industriale agresive të subvencioneve të presidentit amerikan Joe Biden, shënojnë një këputje me modelin e vjetër që lejoi lulëzimin e ekonomive evropiane të bazuara në eksporte.

Kjo shton sfidat para-ekzistuese të paraqitura nga rritja e Kinës dhe makineria e saj e madhe prodhuese, dhe hapi global përpara në shpikjet teknologjike që ka anashkaluar kryesisht rajonin.

“Evropa është në rrezik”, thotë David Galbraith, një sipërmarrës teknologjik dhe investitor i cili e ka kaluar karrierën e tij duke punuar në dy anët e Atlantikut dhe e percepton ekonominë botërore në mes të një shndërrimi të ngjashëm me revolucionin industrial.

“Shikoni se çfarë ndodhi me vendet që nuk arritën të industrializoheshin,” tha ai.

“Ata nuk ia dolën aspak mirë.”

Rezultati kërcënon të shkaktojë dëme që shkojnë përtej thjesht ngecjes në investime dhe prodhimtari, krerët e rajonit po humbasin besimin te projekti evropian.

Viktor Orban, në Bruksel në mars

Nuk janë vetëm euroskeptikët si Viktor Orban i Hungarisë, një gjemb shumëvjeçar në anën e bllokut. Zyrtarët në vendet kryesore evropiane kanë filluar ta shohin BE-në si një pengesë që ata duhet të kalojnë – në vend të burimit të prosperitetit dhe mbrojtjes që ajo ka përfaqësuar deri më tani.

Zyrtarët francezë flasin për krijimin e një integrimi më të thellë me një grup më të vogël vendesh jashtë kuadrit të bllokut për shkak të kundërshtimit të gjatë të Gjermanisë. Zyrtarët polakë citojnë nisma të ngjashme për mbrojtjen. Kryeministri i Spanjës, tradicionalisht një nga shtetet më pro BE-së, po minon politikën e saj tregtare për të mirëpritur investimet kineze.

Pedro Sanchez, majtas, dhe Xi Jinping, takohen në Pekin në shtator

“Gjeopolitika e ndarjes po funksionon me të vërtetë,” thotë Jamie Rush, kryeekonomist evropian në Bloomberg Economics.

“Kina po e drejton politikën spanjolle drejt BE-së duke hedhur aty-këtu pak para. Orban po vepron pa u ndëshkuar. E gjithë kjo minon besimin në projektin më të gjerë, jo vetëm për politikanët, por edhe për investitorët.”

Ekzekutivët dhe investitorët kanë filluar të shfaqin dyshime të ngjashme edhe për Evropën, më së shumti me vendimet e fundit nga Apple dhe Meta për të ndaluar prodhimet e tyre të fundit të AI nga tregu i BE-së, duke dëmtuar pretendimin e bllokut për të qenë pikë referimi për standardet globale.

Më parë, shumica e korporatave globale e gjykonin tregun e vetëm si shumë të madh dhe fitimprurës për t’u hequr, pavarësisht rregullave të rënda. Në vend të kësaj, gjigantët e teknologjisë amerikane vendosën që rregullat e AI të BE-së ishin thjesht shumë kufizuese.

Me atë sfond global politik dhe korporativ të acaruar, Draghi, ish-presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, përcaktoi një plan për ringjalljen e bllokut në shtator, ndërsa bënte në hollësi kronikëne  rrezikut të kalbjes së rajonit si një forcë ekonomike.

Rënia relative e BE-së ka qenë e pandërprerë gjatë çerek shekullit që nga bashkimi monetar. Një analizë nga Bloomberg Economics tregon se ekonomia e bllokut do ishte rreth 3 trilionë euro më e madhe nëse do kishte mbajtur ritmin me SHBA-në, mjaftueshëm për të rritur të ardhurat e punonjësit mesatar me rreth 13,000 euro në vit.

Mario Draghi pas publikimit të raportit të tij të konkurrencës evropiane në shtator

“Themelet mbi të cilat kemi ndërtuar tani po lëkunden,” tha Draghi në hyrje të raportit të tij.

“Kjo është një sfidë ekzistenciale.”

Rekomandimet e tij kryesore për shfrytëzimin e fuqisë financiare të BE-së me më shumë emetim të borxheve të përbashkëta u hodhën poshtë nga gjermanët, duke u kujdesur për të grumbulluar më shumë rrezik me shtetet e tjera anëtare. Prioritetet e tjera, si krijimi i një tregu të përbashkët kapitali, ende nuk kanë marrë vrull.

Raporti ka rënë kryesisht në vesh të shurdhër tani për tani, duke i lënë disa politikëbërës të shqetësuar se dritarja e rajonit për të vepruar po mbyllet me shpejtësi.

“Është e qartë se Evropa po mbetet prapa partnerëve të saj kryesorë tregtarë, SHBA-së dhe Kinës,” tha ministri grek i Financave Kostis Hatzidakis në një intervistë të 24 shtatorit.

“Nëse nuk merren masa të menjëhershme, rënia përfundimisht do bëhet e pakthyeshme.”

VINI RE: Ky material është pronësi inelektuale e Bloomberg

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani