Vendosni fjalën kyçe....

Vrulli i fotovolatikëve dhe eolikëve, 133 aplikime për lidhje në rrjet, vetëm 5 HEC-e


Projektet për investime në burime të rinovueshme të energjisë po dominohen vitet e fundit nga impiantet fotovolatikë dhe ato eolikë duke lënë në vend të tretë “hidron” që disa vite më parë kishte “mbretërimin absolut”.

Këtë ndryshim të panoramës përpos aplikimeve që dorëzohen pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për fazën e parë të shprehjes së interesit e tregon tashmë edhe më qartë kërkesat që përpunohen nga operatorët e energjisë për lidhjet në rrjet.

Operatori i Sistemit të Transmetimit raporton se shumica e aplikimeve për lidhje në rrjet ka të bëjë me projektet e energjisë diellore. Kështu vetëm vitin  e shkuar ky operator përpunoi 80 aplikime për lidhje në rrjet nga impiante fotovolatikë. Në vend të dytë vijnë ato të impianteve eolikë.

“Centrale të tipit “Gjenerues Hidrik”, 5 aplikime, fuqia totale e kërkuar 64.33 MW realizuar 3 Marrëveshje Lidhjeje.

Centrale të tipit “Gjenerues Solar”, 83 aplikime, fuqia totale e kërkuar 5,620.82 MWp, realizuar 2 Marrëveshje Lidhjeje.

Centrale të tipit “Gjenerues Eolik”, 50 aplikime, fuqia totale e kërkuar 4,874.10 MW, realizuar 1 Marrëveshje Lidhjeje.

Të gjitha aplikimet për këtë kategori kanë qenë për ndërtimin e tyre në tokë. Centrale të tipit “Gjenerues Termik” 2 aplikime, fuqia totale e kërkuar 300 MW, nuk është realizuar asnjë Marrëveshje Lidhjeje” nënvizohet në raportin e OST.

Lidhur me ankandet që zhvilloi qeveria për eolikët në korrik të vitit të shkuar OST nënvizon se janë dhënë disa miratime në parim për lidhje në rrjet.

“Shoqëria Voltalia s.a ka marrë miratimin në parim për lidhjen me rrjetin e transmetimit të Centralit Eolik South Wind Park, me fuqi të instaluar 75 MW.

Konsortiumi GURIS INSAAT VE MUHENDISLIK A.S””MORGAN ENERGJI YATIRIM HOLDING A.S” dhe “BRD ENERGY” sh.p.k ka marrë ri-miratimin në parim për lidhjen me rrjetin e transmetimit të Parkut Eolik Kryevidh, me fuqi të instaluar 74.4 MW.

Shoqëria VERBUND Green Power Albania SHPK ka marrë ri-miratimin në parim për lidhjen me rrjetin e transmetimit të Parkut Eolik Kryevidh, me fuqi të instaluar 72.6 MW ”’vlerëson OST./N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor