Vendosni fjalën kyçe....

Banka e njohur goditet me gjobën rekord 3 miliardë dollarëshe, pastroi lekët e kartelit të kokainës


TD Bank do paguajë 3 miliardë dollarë për të zgjidhur akuzat se nuk ka mbikëqyrur si duhet pastrimin e parave nga kartelet e drogës, njoftuan rregullatorët të enjten.

Gjoba përfshin një gjobë prej 1.3 miliardë dollarësh që do t’i paguhet Departamentit të Thesarit të SHBA-së, një gjobë rekord për një bankë. TD Bank gjithashtu synon t’i paguajë 1.8 miliardë dollarë Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së dhe të pranojë fajësinë për të zgjidhur hetimin e qeverisë amerikane se banka ka shkelur Aktin e Sekretit Bankar dhe ka lejuar pastrim parash.

Departamenti amerikan i Drejtësisë tha në një deklaratë se TD Bank kishte “mangësi afatgjata, të përhapura dhe sistematike” në procedurat e saj të mbikëqyrjes së transaksioneve.

“Duke i bërë shërbimet e saj të përshtatshme për kriminelët, ajo u bë një prej tyre,” tha Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland, në një konferencë shtypi të enjten.

Më shumë se 90% e transaksioneve kaluan të pambikëqyrura nga janari 2018 deri në prill 2024, gjë që “u mundësoi tre rrjeteve të pastrimit të parave të transferonin kolektivisht më shumë se 670 milionë dollarë përmes llogarive të TD Bank”, sipas një dosjeje ligjore.

“Dua të jem i qartë, këto dështime sistematike nuk krijuan vetëm dobësi hipotetike, por ato çuan në dëme të prekshme materiale për qytetarët dhe komunitetet amerikane”, tha në një deklaratë Zëvendëssekretari i Thesarit Wally Adeyemo.

“Herë pas here, ndryshe nga kolegët e saj, TD Bank i jepte përparësi rritjes dhe fitimit sesa respektimit të ligjit. Banka mundësoi trafikun e drogës.”

Në një rast, punonjësit e TD Bank mblodhën karta dhuratash me vlerë më shumë se 57,000 dollarë për të përpunuar më shumë se 470 milion dollarë në depozita në para nga një rrjet i pastrimit të parave për të “siguruar që punonjësit të vijonin të përpunonin transaksionet e tyre” dhe të mos i deklarojnë ato në raportet e kërkuara, tha Departamenti i Drejtësisë.

Në një deklaratë lidhur me këtë, Zyra e Kontrollorit të Monedhave (OCC), një agjenci amerikane që rregullon bankat, tha se TD përpunoi qindra miliona dollarë transaksione nga veprimtari qartësisht shumë të dyshimta.

“Ky është një kapitull i vështirë në historinë e bankës sonë,” tha shefi ekzekutiv i TD Bank, Bharat Masrani në një deklaratë.

“Këto dështime ndodhën në kohën time si drejtues dhe unë u kërkoj falje të gjithë aktorëve tanë.”

“Ne kemi marrë përgjegjësinë e plotë për dështimet e operacionit tonë në SHBA kundër pastrimit të parave dhe po bëjmë investimet, ndryshimet dhe përmirësimet e nevojshme për të përmbushur zotimet tona,” shtoi Masrani.

“TD Bank po shton përpjekjet e saj të mbikëqyrjes kundër pastrimit të parave, duke përfshirë punësimin e më shumë se 700 specialistëve të rinj me “përvojë dhe kualifikime në parandalimin e pastrimit të parave, krimeve financiare dhe korrigjimit të LPP, si dhe vendosjen e proceseve të reja për “parandalimin, zbulimin më të mirë dhe matjen e rrezikut të krimit financiar,” tha banka.

Banka kanadeze do t’i nënshtrohet katër viteve mbikëqyrje nga FinCEN për të vëzhguar më nga afër huadhënësin dhe për të siguruar që ai po zbaton marrëveshjen. Rezerva Federale e SHBA gjobiti gjithashtu TD Bank dhe do ta detyrojë kompaninë të zhvendosë në Shtetet e Bashkuara zyrën e saj të pajtueshmërisë kundër pastrimit të parave.

Në një pjesë të konsiderueshme të marrëveshjes, OÇ po kufizon rritjen e TD Bank në Shtetet e Bashkuara. Edhe pse e jashtëzakonshme, nuk është e paparë që një bankë të mbikëqyret dhe rritja e saj të kufizohet nga qeveria amerikane. Wells Fargo u ngarkua me kufizime të ngjashme në rritje dhe një gjobë të madhe për “abuzimet e përhapura të konsumatorëve” në 2018 dhe ende nuk i ka bindur rregullatorët që të heqin kufirin e aseteve. Wells Fargo më parë pranoi se punëtorët e saj iu përgjigjën qëllimeve të rreme të shitjeve duke krijuar deri në 3.5 milionë llogari të rreme.

Dënimet e ashpra nga rregullatorët të enjten e kapën Wall Street-in në befasi. Aksionet e TD Bank (TD) të listuara në SHBA ranë me 6% ndërsa investitorët po përgatiten për shpenzime më të larta ligjore dhe rritje më të dobët.

TD Bank siguroi se kishte likuiditet të mjaftueshëm për të paguar gjobën dhe për të vijuar operacionet. Në një telefonatë me analistët, banka tha se pret një tarifë prej 1.5 miliardë dollarësh pas taksave dhe do zvogëlojë 10% të aktiveve të saj për të adresuar gjobën e madhe.

“Ne besojmë se tregu po bëhej gjithnjë e më i qetë me mendimin se nuk do kishte ndonjë kufizim rritjeje të vendosur në TD,” shkroi John Aiken, analist në Jefferies, në një shënim për klientët të enjten.

“TD do duhet të gjejë një rrugë të re për rritje nga mbështetja e saj tradicionale në bankingun me pakicë në SHBA.”

TD Bank, Pastrimi i Parave

Së pari, gjatë një periudhe trevjeçare, një person të cilin punonjësit e TD Bank e njihnin si David lëvizi mbi 470 milionë dollarë fonde të paligjshme përmes degëve të TD Bank në Shtetet e Bashkuara.

David është pranuar veçmas fajtor për pastrimin e të ardhurave nga droga përmes bankës.

Davidi kishte tentuar të pastronte para përmes shumë institucioneve financiare. Por ai zbuloi se TD Bank kishte politikat dhe procedurat më lejuese dhe zgjodhi të pastronte shumicën e fondeve të tij atje.

Ai gjithashtu korruptoi punonjësit e TD Bank me më shumë se 57,000 dollarë në karta dhuratë për të mbështetur skemën e tij.

Sjellja e paligjshme e Davidit ishte e dukshme. Në më shumë se një rast, ai depozitoi më shumë se 1 milion dollarë në para në një ditë të vetme. Më pas ai i largoi menjëherë fondet nga banka duke përdorur çeqe zyrtare bankare dhe transferta bankare.

Punonjësit e TD Bank në shumë nivele e kuptuan dhe e pranuan paligjshmërinë e mundshme të veprimtarisë së Davidit.

Në gusht 2020, një menaxher i një dege të TD Bank i dërgoi email një menaxheri tjetër dhe i tha: “Ju djema vërtet duhet ta mbyllni këtë, LOL”.

Në fund të vitit 2020, një tjetër menaxher dege u kërkoi mbikëqyrësve të tij – disa menaxherëve rajonalë të TD Bank – të vepronin, duke vënë në dukje se “kjo po i del jashtë kontrollit dhe tregtarët e mi janë në pikën që nuk ndihen rehat kur trajtojnë këto transaksione. ”

Në shkurt 2021, një punonjës i një dege të TD Bank pa se rrjeti i Davidit kishte blerë më shumë se 1 milion dollarë çeqe bankare zyrtare me para në një ditë të vetme. Punonjësi pyeti: “Si, nuk është pastrim parash?”

Një punonjës i zyrës mbështetëse u përgjigj: “Oh, 100% është.”

Në një skemë të dytë, të veçantë të pastrimit të parave, pesë punonjës të TD Bank komplotuan me organizata kriminale për të hapur dhe mbajtur llogari në bankë që u përdorën për të pastruar 39 milionë dollarë në Kolumbi, duke përfshirë të ardhurat nga droga.

Ajo organizatë e pastrimit të parave ripërdori të njëjtat pasaporta venezueliane për të hapur llogari të shumta në TD Bank. Ndonjëherë përdorte të njëjtën pasaportë për të marrë disa karta debiti për një llogari të vetme.

Pavarësisht alarmeve të shumta të brendshme, banka nuk identifikoi se punonjësit e saj po komplotonin për të pastruar dhjetëra miliona dollarë në Kolumbi, derisa forcat e rendit arrestuan njërin prej tyre.

Në një skemë të tretë, të përshkruar në akuzat e drejtësisë amerikane, një rrjet i pastrimit të parave mbante llogari në TD Bank për të paktën pesë kompani guackë. Ajo i përdori ato llogari për të lëvizur mbi 100 milionë dollarë fonde të paligjshme përmes bankës.

Edhe pse punonjësit e shitjes me pakicë raportuan veprimtari të dyshimta të lidhura me ato llogari, banka nuk paraqiti një raport aktiviteti të dyshimtë derisa zbatimi i ligjit e njoftoi bankën për aktivitetin e rrjetit të pastrimit të parave. Në atë kohë, llogaritë ishin hapur për më shumë se 13 muaj dhe ishin përdorur për të transferuar afro 120 milionë dollarë.

Në shumë raste, punonjësit e bankës bënë shaka hapur se po u mundësonin organizatave kriminale marrjen e shërbimeve nga banka.

Në një rast, një punonjës i pajtueshmërisë pyeti një menaxher se çfarë mendonin “të këqijtë” për bankën. Menaxheri u përgjigj: “Lol. Objektivi i lehtë.”

Punonjës të tjerë vijimësishst bënin shaka në platformën e mesazheve të bankës për moton e bankës, “Banka më e përshtatshme në Amerikë”. Ata e lidhën atë me qasjen e bankës për të luftuar pastrimin e parave.

Për shembull, një punonjës i pajtueshmërisë pyeti një koleg se pse “të gjithë të tmerrshmit bëjnë veprime banakre këtu, lol.”

Kolegu u përgjigj: “sepse…ne jemi të përshtatshëm.”

Akti i Sekretit Bankar kërkon që institucionet financiare si TD Bank të krijojnë dhe mbajnë programe të pajtueshmërisë që mbrojnë nga pastrimi i parave.

Por TD Bank zgjodhi fitimet në vend të pajtueshmërisë, në mënyrë që të mbajë kostot e saj të ulëta.

Ky vendim tani po i kushton bankës miliarda dollarë në dënime penale dhe civile.

Më pak se një vit më parë, Departamenti i Drejtësisë siguroi pranimin e fajit nga Binance, shkëmbimi më i madh i kriptomonedhave në botë, dhe nga themeluesi dhe shefi ekzekutiv  tij. Për shkak të seriozitetit të akuzave, disa kritikë, duke përfshirë senatoren demokrate të Massachusetts, Elizabeth Warren, thanë se dënimet nuk shkuan aq larg sa duhet.

“Bankat e mëdha i trajtojnë gjobat e qeverisë si kosto e të bërit biznes”, tha Warren në një deklaratë. “Kjo zgjidhje u çel derën drejursve të këtij të bankave duke parë lejimin e TD Bank që të përdoret si një fond i vperimtarisë kriminale. Departamenti i Drejtësisë dhe Zyra e Kontrollorit të Monedhave duhet të punojnë shumë më mirë në zbatimin e ligjeve tona kundër pastrimit të parave.”

Vitin e kaluar, TD Bank pagoi 1.2 miliardë dollarë për të zgjidhur një padi që pretendonte përfshirjen e saj në një skemë famëkeqe 7 miliardë dollarësh Ponzi të orkestruar nga financuesi i turpëruar Allen Stanford më shumë se një dekadë më parë. Paratë u përdorën për të paguar viktimat e skemës, por banka mohoi çdo keqbërje.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Borderland Beat

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani