Vendosni fjalën kyçe....

Policia operacion në 30 klinika estetike në Tiranë, sekuestrohet botox kontrabandë, në pranga tre administratorë


Policia e Shtetit ka realizuar një operacion të gjerë në Tiranë, duke sekuestruar një sasi të konsiderueshme botoksi kontrabandë në 30 klinika estetike. Operacioni, i koduar “Botulinum toxin”, u realizua me autorizim nga Gjykata e Tiranës.

Gjatë kontrollit, janë arrestuar shtetasit Mildon Kumaraku, administrator i një subjekti që kontrabandonte dhe furnizonte klinikat me produktin e paligjshëm, si dhe administratoret e dy klinikave, Xhuljana Mahmuti dhe Deisa Shehaj.

Kontrolli zbuloi se këto subjekte nuk deklaronin të ardhurat nga injektimi i produktit “Botulinum toxin”, i cili dyshohet se është i paligjshëm.

Pjesë e hetimeve janë edhe disa administratore të tjera klinikash, të cilat janë në gjendje të lirë, ndërsa tre individë janë shpallur në kërkim. Materialet janë dërguar në Prokurorinë e Tiranës për hetime të mëtejshme.

Si rezultat i veprimeve policore dhe hetimore, të kryera në kuadër të një procedimi penal, të iniciuar për veprat “Kontrabanda me mallra të licencuara”, kryer në bashkëpunim, “Kontrabanda nga punonjësit që lidhen me veprimtarinë doganore”, kryer në bashkëpunim dhe “Fshehja e të ardhurave”, dhe të drejtuar nga Prokuroria e Tiranës, Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DPPSh, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar, Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, finalizoi operacionin policor të koduar “Botulinum toxin”.

Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Tiranës, dhënë në kuadër të këtij operacioni, u kryen kontrolle në 30 subjekte private (klinika estetike). Nga kontrollet dhe verifikimet në këto subjekte rezultoi se administratorët e tyre nuk deklaronin në organet tatimore, të ardhurat që përfitonin nga injektimi i produktit “Botulinum toxin”, te pacientët, pasi produkti dyshohet se është i kundërligjshëm dhe i kontrabanduar.

Për këtë paligjshmëri u arrestuan në flagrancë shtetasit Mildon Kumaraku, Xhuljana Mahmuti dhe Deisa Shehaj. Shtetasi Mildon Kumaraku është administrator i një subjekti privat që dyshohet se kontrabandon dhe magazinon produktin e kundërligjshëm, si dhe furnizon me të, klinikat. Ndërkaq, shtetaset Xhuljana Mahmuti dhe Deisa Shehaj janë administratore të 2 prej klinikave ku injektohej ky produkt.

Në vijim të veprimeve procedurale në kuadër të këtij operacioni, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetaset A. T., J. B., J. Z., L. C., K. B. dhe E. Sh, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit S. F., K. B. dhe A. F. B., të gjithë adminstratorë klinikash estetike ku injektohej ky produkt. Punohet për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale shtesë i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për hetime të mëtejshme.