Vendosni fjalën kyçe....

Kthimi i kredive me probleme u përmirësua në gjysmën e parë të vitit


Norma e rikuperimit të kredive me probleme nga sektori bankar u përmirësua në tremujorin e dytë të këtij.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se gjatë tremujorit të dytë norma e rikuperimit të kredive me probleme u rrit në 13%, nga 10% një vit më parë.

Norma e rekuperimit tregon vlerën e kredive që janë hequr nga kategoria e kredive me probleme dhe që kanë kaluar në klasat performuese gjatë një viti, në raport me tepricën e kredive me probleme në fund të periudhës. Kjo ecuri tregon rritje të aftësisë së bankave për të rikuperuar kreditë me probleme.

Nga ana tjetër, norma e dështimit që tregon shpejtësinë me të cilën akumulohen kreditë e humbura në krahasim me totalin e kredisë, ka rënë në 1.1%, nga 1.4% që ishte një gjashtëmujor dhe 1.2% që ishte një vit më parë, ndikuar nga zgjerimi i tepricës së përgjithshme të kredisë dhe tkurrja e huave të humbura. Ky tregues shpreh fluksin e ri të kredive të humbura gjatë një viti ndaj tepricës së përgjithshme të kredisë në fund të periudhës.

Sipas Bankës së Shqipërisë, rënia e normës së dështimit sinjalizon një rrezik më të ulët të aktivitetit kreditues, megjithatë zgjerimi i portofolit të kredisë mund të materializohet në një shtim të prurjeve të kredive me probleme në të ardhmen.

Treguesit plotësues të Bankës së Shqipërisë në përgjithësi konfirmojnë një ecuri në përmirësim të kredive me probleme, pavarësisht se këtë vit rënia e raportit të kredive me probleme është ngadalësuar.

Në muajin gusht, raporti i kredive me probleme preku nivelin më të ulët në 16 vitet e fundit. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, ky tregues zbriti në 4.61%, nga 5.3% që kishte qenë një vit më parë. Vlera e shënuar në muajin gusht është më e ulëta që prej tetorit të vitit 2008.

Në përgjithësi, gjatë këtij viti raporti i kredive me probleme ka shfaqur një ecuri të qëndrueshme, duke qëndruar në nivele të përafërta me fundin e vitit të kaluar.

Megjithatë, fakti që raporti i kredive me probleme ka qenë pak a shumë i qëndrueshëm, pavarësisht rritjes së shpejtë të portofolit të kredisë, është një tregues se sasia e kredive me probleme po rritet në vlerë absolute.

Portofoli i kredisë për ekonominë po rritet me ritmin më të shpejtë që prej vitit 2008. Në segmente të veçanta, siç është kredia për pasuri të paluajtshme për bizneset, rritja ka arritur nivele shumë të larta, me 55% me bazë vjetore.

Përshpejtimi i rritjes së kredisë dhe zgjerimi i ekspozimit në tregun e pasurive të paluajtshme ka ngjallur shqetësimin e Bankës së Shqipërisë. Në mesin e këtij viti, Banka Qendrore vendosi të aplikojë për herë të parë një shtesë kundërciklike në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar, me 0.25 pikë përqindje.

Ndërkohë, në fillim të këtij muaji, Banka e Shqipërisë paralajmëroi se, nëse kreditimi do të vazhdojë të zgjerohet me ritmet e muajve të fundit, rritja e mëtejshme e kësaj norme në fund të vitit 2024 ka një probabilitet të lartë.

Aplikimi i një shtese kundërciklike të kapitalit është i parashikuar në rregulloren e vitit 2018 “Për shtesat makroprudenciale të kapitalit. Një shtesë e tillë ka si qëllim ngadalësimin e kreditimit, në rast se banka qendrore vlerëson se ai po rritet me ritme tepër të shpejta./E.Shehu

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor