Vendosni fjalën kyçe....

Venezuela do i kërkojë Spanjës dëmshpërblim për periudhën koloniale


Presidenti i Venezuelës Nicolás Maduro tha se vendi i tij do kërkonte dëmshpërblime nga Spanja për atë që ndodhi gjatë viteve të kolonializmit.

Sipas këndvështrimit të kreut Chavista, mbretëria evropiane nuk ka “kërkuar kurrë falje” dhe në vend të kësaj është strehuar “në ideologjinë e negacionizmit”.

Në rastin e Spanjës, qasja e Venezuelës kundër plaçkitjes, dhe skllavërisë kundër popujve vendas përsërit qëndrimin e qeverisë së Meksikës nën presidenten e sapozgjedhur Claudia Scheinbaum dhe paraardhësit të saj Andrés Manuel López Obrador. Ai ndjek gjithashtu procesin e ndërmarrë nga vende të ndryshme të Karaibeve kundër Britanisë, Holandës ose Francës.

Gjatë emisionit të tij “Con Maduro +”, kreu venezuelian përshkroi pozicionin e tij dhe përgëzoi vendet e Karaibeve për lëvizjen e tyre. Ai më pas këmbënguli se nisma e Venezuelës do nxiste vendet e tjera të miratonin masa të ngjashme.

“532 vjet më parë pati një proces rezistence kundër kolonializmit dhe skllavërisë, që la si trashëgimi nazizmin dhe fashizmin. Asnjëri prej tyre nuk ka kërkuar falje, ata strehohen në ideologjinë e negacionizmit. Nga Spanja kjo ngjarje barbare miratohet dhe justifikohet si një proces qytetërimi”, pohoi Maduro.

Ai i përshkroi udhëtimet e Kristofor Kolombit si një akt kriminal abuzimi kundër popujve vendas.