Vendosni fjalën kyçe....

Nocioni “Opozitës, opozitës”, nuk ekziston


Nga Indrit Vokshi

 

Sali Berisha paska deklaruar në “Quo Vadis” se po i bëhet opozitë opozitës. Kjo nuk ekziston.

Në shoqëri demokratike, njerëzit, analistët, personat politikë, gjykojnë qeverinë për mënyrën se si ajo i menaxhon zyrat e pushtetit publik dhe miliardat e buxhetit të shtetit.

Njerëzit i gjykojnë ata që sot janë në pushtet, mirëpo njerëzit gjykojnë edhe ata që synojnë të jenë nesër në pushtet, ata që kërkojnë të marrin zyrat e pushtetit publik dhe miliardat e buxhetit të shtetit, pra opozitarët.

Si mund të synosh të marrësh pushtetin publik e të manaxhosh miliarda euro buxhet por, të refuzosh të gjykohesh kush je e të analizohesh si je?

A duhet njerëzit të pyesin se cilët janë këta politikanë opozitarë të cilët po na kërkojnë t’i votojmë e t’ua japim zyrat dhe paratë publike? Sigurisht duhet, madje është e domosdoshme që pretenduesit e pushtetit t’i nënshtrohen këtij gjykimit njëlloj si mbajtësit e pushtetit. Gjykimi dhe analiza mbi opozitën nuk është “opozitë opozitës” por është sjellje normale e një shoqërie.

Në konventën e Partisë Konservatore në Britani një eksponent konservator, paralajmëroi partinë se asaj i kanosej një rrezik; ka rrezik që konservatorët të binden se vota kundër tyre e pro laboristëve ishte aksident, ishte moment emocional, jo se Partia Konservatore ishte gabim e po qeveriste keq.

Duke menduar se njerëzit kanë gabuar dhe se vota kundër tyre ishte aksident, ka rrezik që Partia Konservatore të vazhdojë të kandidojë përsëri me të njejtët njerëz e me të njejtin mentalitet politik. Kjo në një kohë kur sondazhet, Lord Ashcroft Polls, nxjerrin se njerëzit mendojnë se qeveria konservatore e ka humbur besimin e njerëzve dhe qeveria e saj shihej si qeveri jokompetente. Pra as gabim as aksidentalisht por votë racionale.

PD në Shqipëri është viktima shembullore e këtij mentaliteti. Lidershipi i PD ka bindur veten dhe disa të tjerë se vota kundër tyre në vitin 2013 ishte votë aksidentale, ishte gabim, aq sa edhe pas vitit 2017 nisën të kritikonin popullin haptas si popull të keq pse nuk i votonte.

Duke pasur ketë bindje, bindjen se gabon populli, PD vazhdon edhe sot kandidon me të njejtin mentalitet e më të njejtët njerëz sepse fajin nuk e kanë ata që nuk janë të votueshëm por e ka populli që nuk i voton. Duke menduar kësisoji, PD nuk konsideron asnjë mundësi reformimi e rinovimi, as të gjuhës, as të sjelljes, as të qasjes ndaj shtetit, ekonomisë, institucioneve dhe mbi të gjitha, ndaj shoqërisë e cila ka ndryshuar.

Ky refuzim i PD për tu reformuar ka krijuar hapsirë të madhe për parti të reja opozitare, parti të cilat kanë terren përpara, kanë terrenin e lënë bosh nga PD, terrenin ku PD nuk arrin të shkelë.

Partitë e reja kanë të drejtë të ndërtojnë kredon e tyre politike e elektorale, tu thonë njerëzve na besoni ne sepse ne jemi më ndryshe se pretendentët e tjerë për pushtet. Partitë e reja kanë të drejtë të synojnë votat e atyre njerëzve të cilët politika e një partie opozitare (në ketë rast e PD), nuk i bind dhe, meqenëse nuk i bind, ata njerëz votues janë në kërkim të një opozitarizmi pak më ndryshe, të një modeli tjetër politik dhe të një qasjeje tjetër ndaj shtetit, politikës, kundërshtarit, gjithçkaje. Kjo është normale kudo.

Të mos shkojmë larg; në Kosovë opozitë janë LDK, PDK, AAK-Nisma. Nuk dëgjon që këto parti të përleshen mes tyre dhe të akuzojnë njëra-tjetrën për “opozitë-opozitës”, vetëm pse nuk kanë të njejtat mënyra të bërjes opozitë.

Problemi në Shqipëri është se Sali Berisha niset nga botëkuptim monopolist e anti-demokratik; kush nuk shan si ai, kush nuk ka axhendën politike si të atij, kush nuk flet me termat dhe me gjuhën e tij, kush nuk përcakton prokurorinë si organizatë kriminale dhe Amerikën si të keqe, quhet i shitur dhe që i bën opozitë opozitës.

Nëse është halli tek përçarja e votës opozitare, Berisha ishte aktor në tryezën për Kodin Zgjedhor në qershor 2024 dhe, nëse do të kishte dëshiruar, ai mundej të gjente e të kushtëzonte një model tjetër kodi, model i cili e bashkonte më mirë votën opozitare. Mirëpo Berisha nuk u investua për një Kod i cili e bashkonte sa më shumë votën e të gjithë opozitarëve, përkundrazi, rolin e tij në tryezën e Kodit Zgjedhor ai e përdori për të forcuar monopolin e vet mbi opozitarët e tjerë.

Nëse Berisha do të ishte investuar edhe për opozitarët e tjerë jo vetëm për veten, nëse do të kishte kërkuar një formulë elektorale e cila do tiu garantonte edhe të tjerëve përfaqësim, ai do të kishte fituar legjitimitet midis të gjitha “copave të opozitës”. Ai do të ishte shfaqur si politikan që lufton për të mundësuar bashkim të votës opozitare. Por investimi edhe për të tjerët i cënonte atij monopolin e opozitës. E midis bashkimit pa monopol dhe përçarjes me monopol, Sali Berisha zgjodhin monopolin e tij në përçarje, duke shpresuar se partizat e tjera opozitare do t’i mbysë në vazhdim “me shtet”.

Në kuadër të këtij projekti e synimi për monopolizim të opozitarizmit në duart e tij, Sali Berisha quan “opozitë të opozitës” secilën parti, secilin grupim, secilin individ i cili ka një mënyrë opozitarizmi të ndryshme.

Nga njëra anë ua mbyll rrugët “me shtet”, ua pamundëson përfaqësimin përmes paktit me Edi Ramën për Kodin, ndërsa nga ana tjetër i demonizon duke i quajtur shërbëtorë të Edi Ramës.

Duke i quajtur “opozitë e opozitës”, ai konsideron vetëm veten opozitë, ndërsa cilindo opozitar që nuk i nënshtrohet e nuk e imiton, ai e konsideron se po i bën opozitës e opozitës. Pra askush smund të ketë të drejtën të quhet opozitë, ketë emër e ka zaptuar Sali Berisha.

Me ketë sjelle, fatkeqësisht, Sali Berisha demaskon veten si përçarës të opozitarizmit shqiptar kur në fakt, do të duhej të ishte e kundërta, PD si partia më e madhe do të duhej të ishte moderatorja e bashkimit opozitar.