Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli thotë se do i përgjigjet Francës pas ndalimit nga pjesëmarrja në panairin e amëve


Izraeli do luftojë një masë të qeverisë franceze për të ndaluar firmat e vendit të marrin pjesë në një ekspozitë tregtare të ardhshme detare në Paris, ka thënë ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz.

Organizatorët e ekspozitës Euronaval njoftuan javën e kaluar se autoritetet në Paris i kishin informuar ata se delegacionet izraelite nuk do lejoheshin të përdornin stenda ose të shfaqnin pajisje në ngjarje. Panairi është planifikuar të mbahet midis 4 dhe 7 nëntorit. Sipas organizatorëve, shtatë prodhues izraelitë të armëve kishin planifikuar të merrnin pjesë.

Tensionet midis Parisit dhe Jerusalemit Perëndimor kanë qenë në rritje muajt e fundit, pasi presidenti francez Emmanuel Macron u bë gjithnjë e më kritik ndaj sjelljes së ushtrisë izraelite të luftës në Gaza, që tani është përhapur në Liban.

Katz tha në një deklaratë të dielën se ai kishte udhëzuar zyrtarët e ministrisë së Jashtme “të ndihmonin në marrjen e veprimeve ligjore dhe diplomatike kundër vendimit të presidentit francez Emmanuel Macron për të parandaluar kompanitë izraelite të shfaqin produktet e tyre në Euronaval”.

“Bojkoti i kompanive izraelite për herë të dytë, apo vendosja e kushteve të papranueshme, janë masa jodemokratike që nuk janë të pranueshme mes kombeve mike. I bëj thirrje presidentit Macron që t’i anulojë ato tërësisht”, theksoi ministri.

Në qershor, një gjykatë franceze ndaloi kompanitë izraelite të merrnin pjesë në panairin ndërkombëtar të armëve Eurosatory në Paris. Megjithatë, vendimi u anulua më vonë në gjykatën e apelit.

“Izraeli qëndron i vetëm në ballë të luftës kundër Iranit dhe boshtit radikal islamik të së keqes. Franca, së bashku me gjithë botën e lirë, duhet të qëndrojë me ne, jo kundër nesh,” këmbënguli Katz.

Të shtunën, ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant kritikoi gjithashtu ndalimin, duke thënë se presidenti francez “ndihmon armiqtë e Izraelit gjatë luftës” duke mos lejuar firmat nga vendi të marrin pjesë në ekspozitën Euronaval. Veprimet e Macron “janë një turp për kombin francez dhe vlerat e botës së lirë, të cilat ai pretendon se i përkrah”, shkroi Gallant në X.

Në fillim të këtij muaji, Macron u bëri thirrje SHBA-së dhe BE-së që të “ndalojnë dorëzimin e armëve” për Izraelin, duke theksuar nevojën për një “zgjidhje politike” të krizës në Lindjen e Mesme dhe duke paralajmëruar se Libani mund të shndërrohet në “një Gazë të re”. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u përgjigj, duke i etiketuar fjalët e presidentit francez si një “turp” dhe duke këmbëngulur se Izraeli “do fitojë me ose pa” mbështetjen perëndimore.