Izraeli tha të hënën se kishte arrestuar shtatë shtetas izraelitë pasi zbuloi një operacion që ishte në funksion prej shumë kohësh për të spiunuar instalimet sekrete ushtarake dhe energjetike në emër të Iranit.
Arrestimet e grupit, për të cilin autoritetet izraelite pretendonin se kreu zbulim për më shumë se dy vjet në këmbim të qindra mijëra dollarëve në kriptovaluta, erdhën pasi Irani dhe Hezbollahu i mbështetur nga Teherani sulmuan bazat ushtarake izraelite muajt e fundit.
Shtatë hebrenjtë izraelitë, duke përfshirë dy të mitur, kryen “qindra” misione të mbledhjes së inteligjencës për Iranin, duke përfshirë fotografimin e instalimeve sekrete ushtarake si baza ajrore Nevatim, bateritë raketore të mbrojtjes ajrore Iron Dome dhe termocentrali Hadera, thanë autoritetet izraelite. Ata gjithashtu mblodhën informacion mbi bazat detare dhe objektiva të tjerë, thanë autoritetet.
Disa nga bazat kanë qenë në shënjestër të sulmeve me raketa nga Irani ose grupi militant Hezbollah me bazë në Liban gjatë muajve të fundit.
Të dyshuarit pritet të akuzohen së shpejti për shkelje të mëdha të sigurisë, tha policia dhe agjencia e sigurisë së brendshme Shin Bet. Autoritetet izraelite pretenduan se ata ishin drejtuar nga dy agjentë iranianë të koduar “Alkhan” dhe “Orkhan”.
Irani nuk është përgjigjur deri më tani ndaj pretendimeve të fundit për spiunazh.
Policia izraelite tha se veprat e supozuara ishin “ndër më të rëndat që ka njohur shteti i Izraelit. Të dyshuarit vepruan duke ditur për veprimet e tyre dhe nga lakmia për para dhe dëmtuan shtetin e Izraelit dhe qytetarët e tij,” tha një zyrtar nga forca në një deklaratë.
Izraeli është duke luftuar me Iranin dhe milicitë e tij të ndryshme në Lindjen e Mesme për më shumë se një vit, që kur sulmi ndërkufitar i Hamasit nga Gaza më 7 tetor 2023 shkaktoi luftën e vijueshme.
Irani dhe Izraeli shkëmbyen zjarr të drejtpërdrejtë për herë të parë në historinë e tyre prillin e kaluar, dhe përsëri në fillim të këtij muaji kur Teherani gjuajti rreth 200 raketa balistike në Izrael. Udhëheqësit izraelitë janë zotuar për një përgjigje “të ashpër” kundër Iranit.
Anëtarët e rrjetit të dyshuar të spiunazhit “ishin të vetëdijshëm se inteligjenca që ata dhanë rrezikonte sigurinë kombëtare dhe mund të ndihmonte potencialisht sulmet me raketa të armikut”, thanë në një deklaratë policia izraelite dhe Shin Bet.
Disa nga të dyshuarit u arrestuan pranë shtëpisë së një “shtetasi izraelit” që u tha se po e mbikëqyrnin, duke ngritur dyshime se Irani kishte bërë gjithashtu objektiva të mundshëm të shquar izraelit.
Shërbimet e inteligjencës izraelite janë dyshuar për kryerjen e spiunazhit, sabotimit dhe atentateve në tokën iraniane për vite me radhë, duke përfshirë vjedhjen e arkivave bërthamore të vendit në vitin 2018 dhe vrasjen e shkencëtarit kryesor bërthamor iranian Mohsen Fakhrizadeh në 2020.
Kohët e fundit, Irani akuzoi Izraelin për kryerjen e një bombardimi në korrik në një bazë ushtarake iraniane në Teheran që vrau kreun kreun e Hamasit, Ismail Haniyeh.
Përpjekjet iraniane për të rekrutuar shtetas izraelitë janë një shqetësim i vijueshëm për shërbimet e inteligjencës izraelite, përfshirë javët e fundit.
Muajin e kaluar një biznesmen 72-vjeçar izraelit u padit për spiunazh pasi Shin Bet tha se kishte udhëtuar në Iran. Javën e kaluar, një çift izraelit u arrestua mbi akuzat e policisë se ata ishin rekrutuar nga inteligjenca iraniane.
Megjithatë, arrestimet e fundit tregojnë për një rrjet spiunësh të dyshuar që ishte i pazakontë si për shkallën e tij ashtu edhe për periudhën e gjatë në të cilën thuhej se kishte vepruar.
“Kjo ndodhi në mes të luftës së vijueshme në arena të shumta. Vlerësohet se këto veprimtari kanë shkaktuar dëme në sigurinë e shtetit”, tha një zyrtar i Shin Bet.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani