Izraeli thuhet se ka kërkuar që SHBA të lejojë Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) të operojnë lirisht në Libanin jugor si kusht për t’i dhënë fund luftës në vend, raportoi Axios të hënën, duke cituar dy zyrtarë izraelitë dhe dy amerikanë.
Sipas gazetës, zyra e kryeministrit izraelit i dërgoi listën e kërkesave Shtëpisë së Bardhë javën e kaluar, përpara vizitës së të dërguarit të presidentit amerikan Joe Biden, Amos Hochstein, në Bejrut të hënën, ku ai pritet të diskutojë një zgjidhje diplomatike për luftën e Libanit.
Dokumentet thuhet se përmbajnë dy kërkesa kryesore, sipas zyrtarëve izraelitë që folën me Axios. E para është që IDF të lejohet të angazhohet në “zbatim aktiv” për t’u siguruar që militantët e Hezbollahut nuk mund të riarmatosen dhe rindërtojnë infrastrukturën e tyre ushtarake në Libanin jugor pranë kufirit izraelit. Kërkesa e dytë është që forcave ajrore t’i jepet liria për të operuar në hapësirën ajrore libaneze, raportoi Axios.
Një zyrtar amerikan i tha gazetës se ka shumë pak gjasa që Libani ose komuniteti ndërkombëtar të bien dakord me kërkesat e Izraelit, sepse ato bien ndesh me Rezolutën 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila kërkon që një armëpushim midis Izraelit dhe Libanit të zbatohet nga Forcat e Armatosura Libaneze dhe Forca e Përkohshme të OKB-së në Liban (UNIFIL).
Megjithatë, një zyrtar izraelit, duke folur për Axios, argumentoi se propozimi ka për qëllim të rrisë zbatimin e parashikuar nga rezoluta e OKB-së.
“Mesazhi ynë kryesor është se nëse ushtria libaneze dhe UNIFIL bëjnë më shumë, IDF do bëjë më pak dhe anasjelltas”, tha ai.
As SHBA-ja dhe as Izraeli nuk kanë komentuar raportin e Axios.
IDF kreu një seri tjetër sulmesh ajrore në të gjithë Libanin të dielën mbrëma, duke synuar degët e Shoqatës Al Qard Al-Hassan, një sistem bankar që Izraeli pretendon se drejtohet nga Hezbollahu për të menaxhuar financat e tij. Shpërthime u raportuan në Bejrut, Libanin jugor dhe Luginën Bekaa.