Vendosni fjalën kyçe....

“Po grabisni pensionistët”- Rama paralajmëron bizneset për ndëshkime penale


Kryeministri Edi Rama, së bashku me Ministrin e Ekonomisë Blendi Gonxhja dhe Ministren e Shtetit për Sipërmarrjen Delina Ibrahimaj, zhvilluan një bashkëbisedim me biznese mbi rëndësinë e deklarimit të saktë të pagave, që ndikojnë në skemën e sigurimeve shoqërore dhe pensionet.

Rama theksoi se mosdeklarimi i plotë i pagave është një formë grabitje ndaj pensionistëve, duke paralajmëruar se ata që nuk përmbushin detyrimet ligjore do të përballen me pasoja, përfshirë ato penale. Ai theksoi se qeveria ka detyrimin të sigurojë një jetë më të mirë për pensionistët dhe që çdo qindarkë pagese duhet të shkojë për ta.

Kryeministri shprehu vendosmërinë për të adresuar problemet me deklarimin e pagave reale dhe shprehu besimin se bizneset do të ndihmojnë në këtë proces, duke shmangur nevojën për masa administrative dhe penale. 

“Detyrim madhor për qeverinë tonë dhe për ju si sipërmarrje,, por edhe për të gjithë ne së bashku si fëmijë prindërish apo nipër e mbesa gjyshërish që sot janë në pension.

Ne kemi detyrimin si qeveri të bëjmë çmos që jeta e tyre të jetë sa më e qetë që kushtet e tyre të përmirësohen sa të jetë e mundur dhe ata që kryejnë punë në këtë vend që janë sipërmarrjet dhe që paguajnë për punën, kanë detyrimin që çdo qindarkë të çdo pagese për çdo person që i takon pensionistëve, tu shkojë pensionistëve.

Ky është edhe detyrim i çdo kujt që merr një pagë.

Kemi një problem të madh pavarësisht të gjithë përmirësimeve me deklarimin e pagës reale.

Një problem shumë i madh që jemi shumë të vendosur ta adresojmë e të mos presim përmirësimin gradual por të kërkojmë një përmirësim dhe adresim të shpejtë.

Dëshirojmë e besojmë që kompanitë nuk do të jetë nevoja të vihen nën presionin e masave të rënda administrative dhe me gjasë dhe penale për grabitjen e pensioneve. Kjo është grabitje. Fjalë e rëndë por grabitje është”, u shpreh ai.