Deputetja e PL-së Kryemadhi deklaroi sot se sulmi ndaj Ilir Metës dhe asaj ka nisur që në vitin 2014 me atentatin e pretenduar ndaj Tom Doshit, skenar që sipas saj është hartuar në zyrën e Sajmit Tahirit dhe Artan Didit.
Më tej ajo tha se e njëjta gjë u tentua me dosjen CEZ-DIA nga ish-kreu i PD-së Lulzim Basha, ndërsa theksoi se nuk do ndalet në denoncimin e aferave korruptive të qeverisë.
Në konferencën për shtyp nga kryesia e Kuvendit ajo tha se familja është vija e kuqe dhe se Edi Rama dhe ushtarët e tij e kanë kaluar atë vijë.
“Beteja ime është me Edi Ramën dhe me të gjithë ushtarët e tij. Do zbatoj vendimin e drejtësisë edhe pse ajo është e kapur dhe e tredhur nga kryeministri Rama. Jam kureshtare nëse do nxjerrin mesazhet që kam pasur e Edi Ramën, Saimir Tahirin, Mimi Kodhelin, Milena Hariton. Kjo është betejë që do ketë kohën e vet. Do përballemi në seancat gjyqësore. Do ndjekim prapë çështjen e inceneratorëve. Çfarë ka ndodhur me atë të Ramës, me 15 hektarë ku është ndërtuar, kush ka hedhur dherat atje, ku i kanë pastruar lekët. Me Metën nuk komunikoj prej shtatë muajsh. Masa e arrestit për Ilir Metën tenton të zhvillojë më tej konfliktin familjar tonin. Duan t’i vënë Metës gjëra për të cilat ai nuk ka dijeni. Kemi dy rrugë, ose të dalim në rrugë dhe të mos kthehemi në shtëpi siç kemi bërë herët e tjerë, një xhiro në Bulevard dhe kthim në shtëpi. Nuk kam besim të drejtësia selektive. Nuk e sabotova reformën në drejtësi po nuk e besoj drejtësinë selektive të Ramës. Do vijoj të denoncoj krimet e kësaj qeverie, vjedhjet, koncesionet.
Më pyet një punonjëse ambasade a je bërë pishman që ke denoncuar inceneratorin e Tiranës? I thashë si politikane jo. Si nënë, grua, vajzë, shoqe po. Fuqia financiare e inceneratorit të Tiranës ka qenë shumë e madhe. E gjitha kjo është një farsë dhe mënyrë për të bërë pis Monikën. Kur poshtërsia kalon ke fëmija do i bëjnë llogaritë edhe ata vetë se këtu nuk mban më. Skenari ndaj nesh nisi që në kohën e Tom Doshi në vitin 2014 nëse e mbani mend. U hartua skenari në zyrën e Sajmit Tahirit dhe Artan Didit. Pastaj u sajua CEZ-DIA nga Lulzim Basha dhe një deputete e PD-së. Nuk jemi marrë asnjëherë me familjarët dhe fëmijët e Edi Ramës, Erion Veliajt, Lulzim Bashës, Sali Berishës, të askujt. Po familja është vija e kuqe.” – tha Kryemadhi.