Vendosni fjalën kyçe....

Çështja hetimore ndaj saj dhe arrestimi i Metës, Kryemadhi “shfryn” ndaj SPAK-ut


Ditën e djeshme SPAK urdhëroi arrestimin e ish-Presidentit, Ilir Meta, caktoi masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje” për Monika Kryemadhin dhe gjithashtu lëshoi urdhër arreste edhe për Pirro Xhixhon dhe Ema Çokun.

Monika Kryemadhi lajmëroi më herët për mbajtjen e një konference në orën 12.00.

Në fillim ajo u shpreh se kjo konferncë u mbajt për të orientuar edhe gazetarët për çdo dezinformim që shpërndahet.

Prej kohësh jemi në këtë situatë, por ndoshta kur vjen ai momenti duhet të fillojmë të sqarohemi. Por më shumë për t’ju orientuar edhe ju gazetarëve për çdo dezinformim që shpërndahet.”

Ajo shpërtheu me tone të ashpra ndaj SPAK, duke akuzuar institucionin për intimidimin e mjekëve dhe dëshmitarëve në hetime që lidhen me të.

Kryemadhi gjithashtu përmendi rastin e mjekut që ka operuar fëmijën e saj, i cili u trajtua si kriminel në Rinas, pavarësisht se SPAK kishte të gjitha informacionet mjekësore të nevojshme.

Kryemadhi akuzoi gjithashtu SPAK për kërcënimin e personave që kanë pasur lidhje me të, duke i detyruar ata të japin deklarata të rreme.

Më tej Kryemadhi akuzoi SPAK-un për mashtrim në deklaratën e tij në akuzat ndaj saj.

Në konferencën për shtyp nga kryesia e Kuvendit ajo tha se të gjithë pasurinë e ka të deklaruar dhe se ka dorëzuar në prokurori të gjitha deklaratat e pasurisë së saj dhe të së ëmës dhe se Meta nuk ka kryer asnjëherë asnjë pagesë.

“Po sqarojmë çdo paqartësi që vjen edhe nga mediat e inceneratorëve, mediat e Ramës dhe Veliajt. Çështja ndaj meje ka të bëjë me kallëzimin në SPAK nga Erion Veliaj.

I kam dorëzuar prokurorit 5 mijë faqe dokumente për historikun tim financiar. Mamaja ime ka rreth 3 mijë faqe, ndërsa unë 5 mijë faqe. Procesi ndaj meje është politik dhe ka ardhur pas denoncimeve të mia për inceneratorin e Fierit, Elbasanit dhe Tiranës.”

Kryemadhi reagoi ashpër per veprimet e Policisë, duke thënë se Meta ishte goditur në kokë nga një efektiv gjatë arrestimit, duke e quajtur atë një “motherfucker”.

Kryemadhi kritikoi SPAK-un për pasivitetin ndaj skandaleve të tjera, si inceneratorët dhe pastrimi i parave nga droga, duke shprehur dyshimin se arrestimi i Metës ishte një përpjekje për ta heshtur atë.

“A ka qeveria argument për incenaratorin e Tiranës, po ndërtimi pa leje i hektarëve dhe kamionëve me dhera me miliona euro? Po pallatet ku pastrohen parat  e drogës nga Spanja, Dubai etj.? Çfarë bën SPAK-u? Bashkon SPAK-u dosjen e CEZ-DIA në 5 vjet!

S’kanë argument dhe hajt t’i mbyllin gojën Ilir Metës, e ta fusin brenda, me një rrëmbim kriminal, siç bënë bandat e Shijakut dhe Durrësit. Njerëz dy metra të gjatë, me kapuç dhe kallash, e kë do kapnin? 

Ilir Meta nuk është kriminel.

Kur e kanë kërkuar Ilir Metën e s’u ka vajtur?

Kur i kanë thënë Ilirit të shkojë dhe nuk ka shkuar?

Kur u ka thënë Ilir Meta jo atyre?

Kush është Ilir Meta që e tërheqin ashtu?

Na del edhe një motherfucker atje, që e godet në kokë! Kush është policia e Neritan Nallbatit që na bëka aksion?!”

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, deklaroi se sulmet ndaj saj dhe bashkëshortit të saj, Ilir Meta, kanë nisur që në vitin 2014, duke përmendur atentatin e pretenduar ndaj Tom Doshit si një skenar të hartuar nga Saimir Tahiri dhe Artan Didi.

Ajo theksoi se betejën e saj e ka me Edi Ramën dhe ushtarët e tij, duke shprehur dyshime mbi drejtësinë që e sheh si të kapur nga qeveria.

Kryemadhi shtoi se masa e arrestit ndaj Metës ka si qëllim përkeqësimin e konfliktit familjar dhe se ajo do të vazhdojë të denoncojë krimet e qeverisë, përfshirë çështjen e inceneratorëve.

“Beteja ime është me Edi Ramën dhe me të gjithë ushtarët e tij. Do zbatoj vendimin e drejtësisë edhe pse ajo është e kapur dhe e tredhur nga kryeministri Rama. Jam kureshtare nëse do nxjerrin mesazhet që kam pasur e Edi Ramën, Saimir Tahirin, Mimi Kodhelin, Milena Hariton. Kjo është betejë që do ketë kohën e vet. Do përballemi në seancat gjyqësore.”

“Skenari ndaj nesh nisi që në kohën e Tom Doshi në vitin 2014 nëse e mbani mend. U hartua skenari në zyrën e Sajmit Tahirit dhe Artan Didit. Pastaj u sajua CEZ-DIA nga Lulzim Basha dhe një deputete e PD-së. Nuk jemi marrë asnjëherë me familjarët dhe fëmijët e Edi Ramës, Erion Veliajt, Lulzim Bashës, Sali Berishës, të askujt. Po familja është vija e kuqe.” – tha Kryemadhi.

Ne fund ajo u shpreh se që prej 7 muajsh nuk ka pasur komunikim me bashkëshortin e saj, Ilir Meta, përveç një padie për divorc.

Ajo shprehu shqetësimin se masa e arrestit ndaj Metës po përdoret për të thelluar konfliktin e tyre familjar.

Kryemadhi theksoi se akuzat që i vendosen Metës nuk kanë lidhje me të dhe se, madje, ai nuk pranon ta vizitojë.

“Prej 7 muaj zero, me përjashtim kur me ka ardhur padia për divorc, s’kam më komunikim me të. Për këtë çështje do punojmë të ndarë, për arsye të mbrojtjes se ai ka objektivat e veta, unë di të them masa e arrestit për Metën është masë arresti që tenton për të zhvilluar më tej konfliktin familjar tonin.”

Ajo shprehu besim në fuqinë politike të Ilir Metës, duke e cilësuar atë si një “gjeni politik” që nuk bën gabime.

Kryemadhi theksoi se Meta është tradhtuar nga bashkëpunëtorët e tij dhe ka të drejtë të ndjehet i nervozuar. Me tej Kryemadhi njoftoi se Partia e Lirisë do të ristrukturohet dhe riorganizohet, duke sqaruar se nuk dëshiron të përfshihet në aksionin opozitar të partisë për të shmangur konfuzionin për shkak të qëndrimeve të ndryshme.

“Besoj tek fuqia politike e Metës pavarësisht marrëdhënieve personale. Meta, gjeni politik. Nuk bën gabime politike. Është tradhtuar nga bashkëpunëtorët e tij dhe ka të drejtë që nervozohet e bëhet agresiv. PL ka strukturat e saj dhe do të ristrukturohen e riorganizohen. Nuk dua të përfshihem në aksionin opozitar të PL-së sepse nuk dua të krijoj konfuzion sepse kemi qëndrime të ndryshme.”