Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka denoncuar situatën e drejtësisë në Shqipëri, duke e konsideruar vendin si të fundit në Ballkan dhe Europë për këtë sistem. Ai theksoi se Ilir Meta, presidenti i Partisë së Lirisë, e çmontoi në gjyq akuzat ndaj tij dhe detyroi Dumanin të braktiste sallën.
Blushi bëri thirrje për mobilizim qytetar, duke kërkuar që shqiptarët të rezistojnë ndaj mafies shtetërore. Ai kritikoi reforma në drejtësi si një “Ramareformë” dhe e cilësoi rrëmbimin e Metës si një akt kriminal, duke e krahasuar me veprimet e grupeve paramilitare.
“Shqipëria është e fundit në Ballkan e Europë për drejtësinë. Reforma në drejtësi është Ramareformë. Kallëzuesit e Metës janë kallëzues të rremë dhe Ilir Meta u rrëmbye në mënyrë kriminale. Presidenti i vendit u rrëmbye. Mafia në Shqipëri ka shtetin e vet. Rrëmbimi terrorist i Metës, e ngjashme me grupet paramilitare të Arkanit, ishte vula përfundimtare e faktit se mafia ka drejtësinë e saj në këtë vend. Mbi presidentin e PL Ilir Meta ka akuza të stisura.
Meta e çmontoi në gjyq Dum-dumanin, duke detyruar këtë qen sulmi të braktiste sallën e gjyqit. Presidenti i Partisë së Lirisë është sot në burg politik, pasi ka mbrojtur interesin kombëtar dhe sovranitetin e Republikës së Shqipërisë, ka mbrojtjur pa kompromis kufijtë e Kosovës. Qytetarët janë sot më të kërcënuar se kurrë. Rezistenca është e vetmja rrugë përballë mafies shtetërore”, u shpreh ai.