Vendosni fjalën kyçe....

Atentat ish-presidentit bolivian Evo Morales, makina i bëhet shoshë nga plumbat (Video)


Ish-presidentit bolivian Evo Morales i është bërë atentat teksa mjeti me të cilin udhëtonte u qëllua të paktën 14 herë. Ngjarja e rëndë ndodhi sot ndërsa pamjet janë kapur në një video të postuar nga Morales. Atentati pasqyron tensionet politike që kanë prodhuar dhunë në vendin e Andeve, mes ish-kreut të vendit dhe dhe ish-aleatit të tij, presidentit Luis Arce.

Morales publikoi një video në Facebook të filmuar nga brenda një makine në lëvizje, duke treguar atë të ulur në sediljen e përparme dhe të paktën dy vrima plumbash në xhamin e përparmë. Shoferi dukej i plagosur. Morales shkroi se qeveria ishte fajtore për sulmin.

Incidenti dhe pretendimet mund të nxisin trazira dhe paqëndrueshmëri të mëtejshme në vendin  amerikano-jugor, në një kohë tensionesh tashmë të larta me mbështetësit e Morales që kanë bllokuar autostradat kryesore dhe janë përleshur me forcat e sigurisë që janë përpjekur t’i pastrojnë ato.

Në një intervistë radiofonike pas incidentit, Morales tha se dy automjete e ndoqën atë në rrugë dhe qëlluan mbi makinën e tij, duke pretenduar se një plumb kaloi pak “centimetra” nga koka e tij.

“Nuk e di nëse ishin ushtarë apo policë”, tha Morales.

Të shtunën, qeveria kishte kritikuar Morales për “destabilizimin” e vendit me dy javë bllokada rrugore që kanë bllokuar furnizimet me ushqim dhe karburant në gjithë vendin. Ai e akuzoi atë për përpjekje për të “bllokuar rendin demokratik”.

Qeveria në një deklaratë tha gjithashtu se disa grupe aleate të Moralesit ishin të armatosur dhe paralajmëroi për dhunë, duke përmendur 14 oficerë policie të plagosur në përpjekje për të thyer bllokadat.

Morales dhe Arce, ish-ministri i tij i Ekonomisë, janë të dy pjesë e së njëjtës parti politike socialiste MAS, por janë përplasur gjithnjë e më shumë gjatë vitit të kaluar, pjesë e një lufte për pushtet përpara zgjedhjeve të 2025-ës.

Morales po përballet gjithashtu me akuza se ka pasur marrëdhënie me të mitur. Ai u thirr zyrtarisht nga prokurorët rajonalë për të dëshmuar në këtë rast, por nuk u paraqit dhe tani përballet me një urdhër arresti. Morales i mohon me forcë akuzat.