Arabia Saudite do presë emrat më të mëdhenj të financës dhe teknologjisë këtë javë në një provë të oreksit të investitorëve për ambiciet e mbretërisë për ta shndërruar veten në një qendër globale në një kohë të konfliktit rajonal në rritje.
Drejtuesit ndërkombëtarë do duhet të përballen me një rajon të tronditur nga tensionet gjeopolitike, me kërcënimin e një përplasjeje të mëtejshme ushtarake midis Izraelit dhe Iranit në nivelet më të larta prej shumë kohësh. Ata do zbarkojnë në një vend që po përballet gjithnjë e më shumë me faktin se edhe pasuria e madhe e fituar prej naftës ka kufij.
Por ata që mbërrijnë në Nismën e Investimeve të Ardhshme – shpesh të quajtur Davosi në shkretëtirë – duken të papërmbajtur, duke ndjerë një mundësi për t’u futur në projektin ekonomik trilion dollarëshe të Vizionit 2030 të Princit të Kurorës Mohammed bin Salman. David Solomon i Goldman Sachs, Jane Fraser e Citigroup dhe Larry Fink i BlackRock janë vizitorë të rregullt të samitin e Riadit dhe rikthehen këtë vit.
Duke pasqyruar fokusin e Arabisë Saudite në teknologji dhe inteligjencë artificiale, atyre do t’u bashkohen emra të shquar në ato industri. Presidentja e Alphabet Ruth Porat dhe Shefi Ekzekutiv i TikTok Shou Cheë do flasin në samit për herë të parë. Benjamin Horowitz, sipërmarrësi i teknologjisë dhe bashkëthemeluesi i gjigantit të kapitalit sipërmarrës Andreessen Horowitz, gjithashtu do marrë pjesë.
Wall Street dhe Silicon Valley janë kthyer gjithnjë e më shumë në Lindjen e Mesme të pasur me naftë ndërsa likuiditeti bëhet më i shtrënguar në pjesë të tjera të botës, veçanërisht në Kinë. Vetë Arabia Saudite zotëron afërsisht 1 trilion dollarë në pasuri sovrane, megjithëse Princi i Kurorës dëshiron që titanët e industrisë të ndalojnë dërgimin e këtyre parave jashtë shtetit dhe në vend të kësaj të ndihmojnë në mbështetjen e ambicieve të tij të brendshme.
Megjithatë, sfondi i pasigurisë në rritje.
Politika e jashtme saudite kohët e fundit është përqendruar në uljen e tensioneve rajonale me shpresën se një rajon më i qëndrueshëm do sjellë kapital të huaj dhe njohuri teknologjike. Por ngjarjet e vitit të kaluar kanë shërbyer si një kujtesë se sa i paqëndrueshëm mund të jetë rajoni.
“Ndikimi i paqëndrueshmërisë rajonale në perspektivat për investime të huaja është krejtësisht negativ, me ndonjë përjashtim të mundshëm të industrisë së mbrojtjes,” tha Gregory Gause, profesor i Çështjeve Ndërkombëtare në Universitetin A&M të Teksasit.
Kapitali “nuk tërhiqet nga rajonet e luftërave, edhe nëse vendi në fjalë nuk është pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në luftë”.
Sigurisht, Arabia Saudite është ende duke ecur përpara me planet e saj të mëdha të zhvillimit. Marrëveshjet me vlerë më shumë se 28 miliardë dollarë ka të ngjarë të shpallen gjatë javës së ardhshme nga drejtues nga e gjithë bota, sipas Richard Attias, shef i Institutit FII.
Disa nga këto do përqendrohen në Inteligjencë Artificiale, duke përfshirë potencialisht një fond të ri me Andreessen Horoëitz që mund të rritet deri në 40 miliardë dollarë. Mbretëria pritet gjithashtu të shpallë një kompani të re që do investojë të paktën 10 miliardë dollarë për ta bërë Arabinë Saudite një prodhuesi kryesor global të hidrogjenit, një lëndë djegëse me karbon të pakët që mund të jetë çelësi për kalimin e botës nga djegia e karburanteve fosile.
Dy fonde të tjera do bëjnë debutimin e tyre tregtar në Riad, duke u dhënë investitorëve sauditë qasje në aksionet e Hong Kongut, pasqyrim lidhjeve në rritje të mbretërisë me Kinën, ndërsa ajo duket të nxisë flukset e investimeve me partnerin e saj më të madh tregtar. Sekretari Financiar i Hong Kongut, Paul Chan dhe Komisioneri për nismën e Kinës Brez dhe Rrugë, Nicholas Ho, do flasin në FII duke qenë ndër folësit e profilit më të lartë nga Azia.
Megjithatë, konflikti rajonal padyshim po rëndon në ndjesitë e investitorëve globalë në Lindjen e Mesme. Arabia Saudite, ekonomia më e madhe e Gjirit, po ndjen një pjesë të kësaj.
Numri i fondeve të tregjeve në zhvillim të menaxhuara në mënyrë aktive me ekspozim saudit ishte rritur ndjeshëm deri në fillim të këtij viti, por ngeci në rreth 56% pasi tensionet midis Izraelit dhe Iranit u përshkallëzuan, sipas Copley Fund Research. Të dhënat tregojnë se numri i fondeve të investuara në tregun e aksioneve saudite ra paksa midis marsit dhe shtatorit të këtij viti dhe se vendi është vendi i tretë më i dobët pas Tajvanit dhe Indisë.
Së bashku me këtë, princit të kurorës Mohammed i është dashur të pajtohet me kufijtë e burimeve të mëdha financiare edhe të Arabisë Saudite për të paguar për ambiciet e tij. Qeveria, e cila po parashikon deficite të paktën deri në vitin 2027, ka thënë se disa projekte do duhet të vonohen.
Në të njëjtën kohë, Fondi i Investimeve Publike, fondi i fuqishëm sovran i mbretërisë që kryeson de-facto sundimtari, po bëhet një vend më i vështirë për firmat e huaja për të nxjerrë para. Një fokus i shtuar në projektet vendase si Neom prej 1.5 trilion dollarësh ka bërë që menaxherët globalë të aseteve të shqetësohen se PIF do ketë më pak para për të shpenzuar jashtë vendit.
“FII është krijuar gjithmonë si një mekanizëm për investime në Arabinë Saudite, megjithatë në të vërtetë ka qenë një mundësi për drejtuesit e huaj për të nxjerrë financime nga Mbretëria,” tha Zaid Belbagi, partneri menaxhues i shërbimit këshillues për rrezikun politik Hardcastle Advisory.
“Hotelet e shitura me 500-1000 dollarë për natë janë tregues i interesit të qëndrueshëm ndërkombëtar.”
Organizatorët e Jamboree në Riad mbeten të sigurt dhe rreth 7,000 njerëz janë regjistruar për të marrë pjesë në ngjarjen e këtij viti. Kjo është më e lartë se sa shifrat për samitin e vitit të kaluar, i cili u zhvillua disa ditë pas fillimit të luftës në zhvillim në rajon.
“Investitorët po vijnë pavarësisht asaj që po ndodh në botë”, tha Attias i Institutit FII.
“Shfaqja duhet të vijojë.”
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Bloomberg
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani