Vendosni fjalën kyçe....

Mbetjet e dyshuara të rrezikshme rikthehen në Shqipëri


Në Shqipëri një anije e ngarkuar me 2100 tonelata mbetje industriale që dyshohet se përmbajnë lëndë të dëmshme, pritet të mbërrijë në portin e Durrësit.

Ngarkesa që besohet se përmban mbetje nga hiri i oxhaqeve metalurgjike, ishte nisur nga Shqipëria në korrik të këtij viti me destinacion Tajlandën e cila e refuzoi atë pas alarmit të dhënë nga organizata joqeveritare ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’ me seli në Seattle, të Shteteve të Bashkuara.

Nuk është e qartë se si do të veprohet në këtë rast nga autoritetet shqiptare, të cilat thanë se, përsa kohë çështja është nën hetim, i takon Prokurorisë të përcaktojë procedurat që do të duhet të ndiqen

Pas një odiseje më shumë se 3 mujore lundrimi në det, deri në Azinë e largët, kontejnerët me mbetjet industriale të cilat dyshohet se janë pluhur helmues, që del nga oxhaqet e fabrikave metalurgjike, pritet të mbërrijnë në orët e para të mëngjesit të nesërm, në portin e Durrësit, ngarkuar në një anije të nisur nga Gioia Tauro në Itali. Pluhuri i dyshura, i njohur me siglën EAF, përmban përqindje të lartë metalesh si plumbi dhe kromi dhe mbetje të tjera kimike që shkaktojnë kancer

Ngarkesa u nis në muajin korrik nga porti shqiptar, si pjesë e një marrëveshjeje eksporti të kompanisë shqiptare “Sokolaj”, e cila i kishte blerë mbetjet nga kompania Kurum, prodhuese e çelikut dhe hekurit, në mjediset e ish kombinatit metalurgjik në Elbasan.

Dyshimet për përmbajtjen e tyre të rrezikshme, u hodhën nga organizata joqeveritare ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’, pas një sinjalizimi që ajo kishte marrë nga Shqipëria. Kompania Sokolaj, nuk i ka deklaruar si mbetje të rrezikshme, kur ato u grumbulluan në një mjedis të hapur në Portin e Durrësit përpara se të ngarkoheshin në kontejnerë.

Për këtë rast, është duke u kryer një hetim i dyfishtë, nga prokuroria e Durrësit në Shqipëri dhe nga zyra e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve, OLAF, në Bruksel. Alarmi i dhënë nga “Rrjeti i Aksionit të Bazelit” bëri që Tajlanda, vendi pritës, të refuzonte shkarkimin e kontenierëve në portet e saj, ndërsa u njoftua se anijet do riktheheshin në Shqipëri.

Në atë kohë, në muajin gusht, ministria shqiptare e Infrastrukturës dhe ajo e Mjedisit, dolën me një qëndrim të përbashkët ku theksonin se “Shqipëria nuk mund të pranojë a priori rikthimin e ngarkesave të tilla, aq më tepër vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekullimeve, pa realizimin e analizave shteruese dhe provave ligjore të besueshme dhe të verifikueshme”.

Për momentin nuk është e qartë se si do të veprohet nesër me anijen që pritet të mbërrijë në Durrës. Sipas autoriteteve shqiptare të kontaktuara nga Zëri i Amerikës, përsa kohë çështja është nën hetim, i takon prokurorisë të përcaktojë procedurat që do të ndiqen. “Rrjeti i Aksionit të Bazelit” ka bërë thirrje që “kontejnerët të hapen publikisht dhe në prani të grupeve të pavarura si BAN-i dhe mostrat të ndahen që të mund të analizohen paralelisht në laboratorë të ndryshëm”, tha drejtori ekzekutiv i grupit BAN, Jim Puckett.

Sot në hyrje të Portit të Durrësit, Partia Demokratike organizoi një protestë, me pjesmarrjen dhe te ekspertëve të mjedisit. Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi drejtoi gishtin e përgjegjësisë mbi qeverinë shqiptare: “Askush nuk e di çfarë po ndodh me këto mbetje toksike që do të helmojnë jetën e qytetarëve, fëmijëve tanë. Askush të mos tentojë ta shesë këtë si histori pazaresh mes privatësh. Secilit pjesën e përgjegjësisë që i takon, dhe më e rrezikshmja është e atyre që drejtojnë këtë vend”

Ndërsa ambientalistët, duke hedhur hije të forta dyshimi mbi rrezikshmërinë e ngarkesës me mbetje, deklaruan se ato nuk duhen pranuar përsa kohë nuk dihet se farë janë saktësisht.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e VOA