Vendosni fjalën kyçe....

Anija me 2100 ton mbetje të dyshuara toksike mbërrin në Durrës


Anija e ngarkuar me 2100 tonelata mbetje industriale që dyshohet se përmbajnë lëndë të rrezikshme mbërriti në portin e Durrësit sot rreth orës 07:30.

Ngarkesa që besohet se përmban mbetje nga hiri i oxhaqeve metalurgjike, ishte nisur nga Shqipëria në korrik të këtij viti me destinacion Tajlandën e cila e refuzoi atë pas alarmit të dhënë nga organizata joqeveritare ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’ me seli në Seattle, të Shteteve të Bashkuara.

Pas 3 muajve lundrim në det, deri në Azinë e largët, kontejnerët me mbetjet industriale të cilat dyshohet se janë pluhur helmues, që del nga oxhaqet e fabrikave metalurgjike, mbërritën ngarkuar në një anije të nisur nga Gioia Tauro në Itali.

Akoma nuk është planifikuar se kur do hyjë në port, dhe anija ‘Moliva’ po pret në radën e jashtme. 

Nuk është e qartë se si do të veprohet në këtë rast nga autoritetet shqiptare, të cilat thanë se, përsa kohë çështja është nën hetim, i takon Prokurorisë të përcaktojë procedurat që do të duhet të ndiqen.

Pluhuri i dyshura, i njohur me siglën EAF, përmban përqindje të lartë metalesh si plumbi dhe kromi dhe mbetje të tjera kimike që shkaktojnë kancer.

Ngarkesa u nis në muajin korrik nga porti shqiptar, si pjesë e një marrëveshjeje eksporti të kompanisë shqiptare “Sokolaj”, e cila i kishte blerë mbetjet nga kompania Kurum, prodhuese e çelikut dhe hekurit, në mjediset e ish kombinatit metalurgjik në Elbasan.

Dje Partia Demokratike zhvilloi një protestë pranë portit të Durrësit.

Demokratët akuzuan se kryeministri Edi Rama kërkon të manipulojë lëndën që ndodhet brenda anijeve, që po kthehen drejt vendit tonë ndërsa kërkojnë transparencë me atë se çfarë do të bëhet me këto mbetje.