Vendosni fjalën kyçe....

SPAK kërkon 1 vit e 6 muaj burg për ish nën kryetarin e Bashkisë Kukës


SPAK ka kërkuar 1 vit e 6 muaj burg për ish nën kryetarin e Bashkisë Kukës Granit Gjana.

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënimin e ish zyrtarit në lidhje me akuzën për “shkelje të barazisë në tendera”, ndërsa për shkak të gjykimit të shkurtuar, Gjana përfiton ulje të dënimit në 1 vit.

Përfundimisht SPAK kërkoi konvertimin e dënimit me 2 vite shërbim prove.

Ish-zyrtari dyshohet se nuk ka pasijur në kohën e duhur me Autorizimin për tregtimin e lëndëve djegëse një subjekt privat, i cili kishte kryer pagesat e nevojshme dhe dorëzuar dokumentacionin pranë organit shtetëror sipas ligjit.

Ai e ka penguar subjektin të kualifikohet në dy procedurat e tenderit me objekt “Blerje karburanti”, në vlerën 21.000.000 lekëve, të organizuara nga Autoriteti Kontraktor Bashkia Kukës përgjatë vitit 2023.

Për pasojë Granit Gjana akuzohet se ka dëmtuar interesat e ligjshëm të personit juridik “U. C.” Shpk, duke e penguar këtë subjekt për t’u kualifikuar në procedurën e prokurimit të mësipërm.

Njoftimi i GJKKO-së

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 05.03.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Miratimin e “Marrëveshjes mbi Pranimin e Fajësisë dhe Caktimin e Dënimit”, të lidhur më datë 01.03.2023 midis Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të pandehurit Granit Gjana, i cili akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në dy raste, parashikuar nga neni 258/2 i Kodit Penal.

2. Në seancën e datës 30.04.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Flora Hajredinaj dhe Elsa Ulliri, me vendimin Nr. 63 Regjistri Themeltar, datë 30.04.2024 vendosi:

1. Refuzimin e miratimit të “Marrëveshjes mbi Pranimin e Fajësisë dhe Caktimin e Dënimit”, të lidhur më datë 01.03.2023 midis Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të pandehurit Granit Gjana, në praninë e mbrojtësit, i cili akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në dy raste, parashikuar nga neni 258/2 i Kodit Penal.

2. Kthimin e akteve Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, që i përkasin procedimit penal Nr. 115, të vitit 2023, në ngarkim të të pandehurit Granit Gjana.

3. Kundër këtij vendimi nuk lejohet ankim.

Tiranë, më datë 30.04.2024

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar