Vendosni fjalën kyçe....

Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali viziton Vatikanin, pritet nga Papa Françesku


Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka pasur nderin e veçantë të pritet në një audiencë nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku. Në një postim në Facebook, Spiropali shprehu kënaqësinë e këtij takimi dhe falenderoi Papën për kontributin e tij të çmuar në mbrojtjen e vlerave të humanizmit, solidaritetit, drejtësisë sociale dhe paqes.

Ajo theksoi dashurinë e Papës për Shqipërinë, si dhe vlerësimin e tij për trashëgiminë e tolerancës fetare në vendin tonë, duke e quajtur atë “një trashëgimi historike e njerëzimit”.

“Sot pata nderin e rrallë dhe kënaqësinë e jashtëzakonshme të pritem në audiencë të veçantë nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku.

Krahas mirënjohjes për këtë takim të paharruar, i shpreha Shenjtërisë së Tij falënderim të thellë për kontributin e paçmuar që ka dhënë në mbrojtjen dhe lartësimin e vlerave të humanizmit, solidaritetit, drejtësisë shoqërore e paqes, për dashurinë e Tij për Shqipërinë, e cila i ka dhënë botës Shën Terezën, për bekimin e 38 martirëve të Kishës Katolike shqiptare, për kujdesin e veçantë për besimtarët dhe bashkëjetesën e tolerancën fetare në vendin tonë, të cilën Ati i Shenjtë e ka vlerësuar “Një trashëgimi historike e njerëzimit”, shkruan Spiropali në Facebook.