Vendosni fjalën kyçe....

Zbardhen propozimet e PD-së për rezolutën e komitetit të përbashkët me Parlamentin Europian


Janë zbardhur propozimet e PD-së për rezolutën e komitetit të përbashkët me Parlamentin Evropian.

Ata kërkojnë që PS-ja të heqë dorë nga përdorimi politik i drejtësisë, shkëputja e lidhjeve të politikës me krimin e organizuar, zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuesedhe Reformë Zgjedhore gjithëpërfshirëse, bazuar mbi rekomandimet e OSBE-ODIHR.

Nesër do mbahet mbledhja e komitetit të përbashkët mes Parlamentit Europian dhe  Shqipërisë, për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. PD-ja ka kritika për draftrezolutën dhje ka bërë propozimet e saj.

Selia blu angazhohet  në mënyrë të pakushtëzuar  në mbështetje në proceset integruese të vendit, ndërsa ka përgatitur disa propozime konkrete që kanë të bëjnë me respektimin e shtetit ligjor dhe mospërdorimit politik të drejtësisë.

Mosrespektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga PS-ja duke iu referuar rastit “Xhaçka”, është një tjetër çështje e përfshirë në propozimet e deputetëve të PD-së.

Opozita ngre shqetësim për “lidhjen mes politikës dhe krimit të organizuar, që përdoret si mekanizëm në zgjedhje, siç treguan edhe përgjimet e fundit të SKY/EÇ për listën e Durrësit, si dhe mungesën e vullnetit politik për miratimin e një Kodi Zgjedhor konsensual dhe që përputhet me rekomandimet e OSBE-ODIHR, siç parashikohet në planin e negociatave”.

Në rezolutë, opozita shpreh shqetësim të thellë edhe për Komisionin Parlamentar të Posaçëm për “Fuqizimin e reformave për qeverisje të mirë, sundim të ligjit dhe antikorrupsion për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, që sipas saj, “u krijua në mënyrë të njëanshme dhe pa konsensus të gjerë politik”.

PD-ja ka kritikuar kalimin e ligjeve që cenojnë mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të vendit, duke paralajmëruar për dëme të pariparueshme në ekosisteme të rëndësishme dhe monumente historike.