Vendosni fjalën kyçe....

Apeli i Posaçëm pranon kërkesën e SPAK, rishqyrtim gjyqësor për incineratorin e Fierit


Apeli i Gjykatës së Posaçme ka pranuar kërkesën e SPAK-ut për përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor ndaj të pandehurve për incineratorin e Fierit. Gjykata vendosi të pranojë të thërrasë tetë dëshmitarë duke pranuar kërkesën e prokurorit të çështjes Dritan Prençi.

Mes atyre që do merren në pyetje është edhe Arjola Kodra, administratorja e incineratorit të Tiranës. Në seancën në Apelin e Posaçëm, prokurorët kërkuan prishjen e vendimit të Shkallës së Parë, në lidhje me pafajësitë që janë dhënë për Arben Dervishajn, Juri Imerajn dhe Arjola Kodrën e sh-deputetin e PS-së Alqi Bllakon, i cili u shpall i pafajshëm për akuzën “shpërdorim detyre të funksionarit të lartë shtetëror”.

Seanca e radhës për të marrë në pyetje dëshmitarët do të mbahet më 7 nëntor në Apelin e GJKKO.

Në seancën e 25 shtatorit 2023, Gjykata e Posaçme dënoi me 10 vjet burg ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka. Ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Bllako u dënua me 2 vite e 8 muaj burg për “shpërdorim detyre të nëpunësit që kryen detyrë publike”.

Tani SPAK kërkon dënimin e tij për “shpërdorim detyre të funksionarit të lartë shtetëror”.

SPAK ka gjetur se për incineratorin e Fierit janë paguar 4 milionë euro për punë që nuk janë kryer asnjëherë.