Vendosni fjalën kyçe....

Mijëra gjeorgjianë protestojnë kundër rezultateve të diskutueshme të zgjedhjeve


Mijëra gjeorgjianë dolën në rrugët e Tbilisit për të protestuar kundër rezultateve të një zgjedhjeje parlamentare të kontestuar të zhvilluar fundjavën e kaluar, ku partia në pushtet, gjithnjë e më shumë anti-perëndimore, u shpall fituese mes raporteve për parregullsi dhe frikësim të votuesve.

Demonstrata jashtë parlamentit në qendër të qytetit u organizua nga opozita pro-perëndimore e vendit, e cila refuzoi të pranonte humbjen dhe akuzoi partinë qeverisëse Gjeorgjian Dream (GD) për manipulime zgjedhore.

Presidentja pro-perëndimore e Gjeorgjisë, Salome Zourabichvili, me rol kryesisht ceremonial, deklaroi se nuk i njeh rezultatet zyrtare dhe pohoi se vendi është bërë viktimë e një “operacioni special rus” që synon ta kthejë atë në orbitën e Moskës dhe ta pengojë në planin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Ata ju vodhën votën dhe u përpoqën t’ju vjedhin të ardhmen. Por askush nuk ka të drejtë ta bëjë këtë dhe ju nuk do ta lejoni,” tha Zourabichvili për turmën të hënën, ku qytetarët valëvitnin flamuj të BE-së dhe të Gjeorgjisë.

Pothuajse 20 parti garuan për vendet në trupin më të lartë legjislativ të vendit, që përbëhet nga 150 deputetë. Zgjedhjet u fituan nga GD, në pushtet prej 12 vjetësh, e cila mori 54.3 për qind të votave. Në përgjigje, disa parti njoftuan një bojkot të parlamentit dhe Koalicioni për Ndryshim nga opozita refuzoi mandatet parlamentare dhe financimin shtetëror.

Në protestë, disa liderë të opozitës kërkuan zgjedhje të reja të mbikëqyrura nga një komision ndërkombëtar dhe njoftuan se partitë e tyre nuk do të zinin vendet e tyre në parlament, duke e kthyer situatën drejt një krize të zgjatur politike.

Në raportin e tij paraprak, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) theksoi se vuri re raporte për frikësim dhe presion ndaj votuesve, duke e cilësuar procesin si dëshmi të “prapambetjes demokratike” të vendit, sipas The Guardian.

Rezultati minon shpresat e opozitës për një koalicion të bashkuar pro-perëndimor të përbërë nga katër blloqe dhe, në fakt, ndalon aspiratat e vendit për integrimin në BE.

Jam këtu sepse qeveria manipuloi zgjedhjet, duke na vjedhur zërin dhe të drejtën për të zgjedhur të ardhmen tonë,” tha Kato Bochorishvili, një studente ekonomie 21-vjeçare. “Ne duam që bota të dijë se ne zgjodhëm Evropën, jo Rusinë. Shpresoj që bota të na dëgjojë.”

Partia GD, e udhëhequr nga miliarderi misterioz Bidzina Ivanishvili, ka përfshirë vlerat konservatore dhe iliberale në qendër të fushatës së saj, duke pretenduar se opozita pro-perëndimore do ta fuste Gjeorgjinë në një konflikt me Rusinë, të ngjashëm me atë në Ukrainë.

Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken kritikoi “keqpërdorimin e burimeve publike, blerjen e votave dhe frikësimin e votuesve,” që sipas tij, “kontribuoi në një fushë të pabarabartë garimi.”

Ministria e jashtme gjermane dënoi “parregullsitë e rëndësishme” dhe Franca gjithashtu shprehu shqetësime për “parregullsitë e vërejtura para dhe gjatë votimit,” duke kërkuar një hetim të plotë.

Por zyrtarët perëndimorë u ndalën përpara se ta shpallnin zgjedhjen të vjedhur apo të falsifikuar dhe nuk kërkuan bojkotim të rezultateve.

Peskov, zëdhënësi i Kremlinit, tha se rezultati i zgjedhjeve ishte “zgjedhja e popullit gjeorgjian” dhe akuzoi perëndimin për përpjekje për destabilizim të situatës.

Kryeministri i Gjeorgjisë, Irakli Kobakhidze, akuzoi opozitën se po përpiqet të “trondisë rendin kushtetues,” raportuan mediat lokale. Ai tha se qeveria e tij mbetet e përkushtuar ndaj integrimit evropian.

Në një lëvizje që zemëroi liderët e BE-së dhe opozitën gjeorgjiane, Viktor Orbán mbërriti të hënën në Tbilisi, pasi u bë lideri i parë perëndimor që përgëzoi GD-në për “fitoren dërrmuese”.

Nuk është menjëherë e qartë se çfarë rruge do të ndjekë opozita gjeorgjiane, ndërsa shumë në vend shfaqen të zhgënjyer nga ajo që e konsiderojnë mungesë të mbështetjes perëndimore.

Rezultatet e zgjedhjeve sugjerojnë gjithashtu se GD mban mbështetjen e një grupi të caktuar votuesish gjeorgjianë, veçanërisht në zonat industriale dhe rajonet konservatore, të varfra, ku përparimi ekonomik ka qenë i ngadaltë dhe tërheqja për Evropën duket e largët dhe e zbehtë.

Protestat e së hënës ishin dukshëm më të vogla, duke sugjeruar se lëvizja protestuese nuk ka vrull.

“Gjeorgjian Dream ka fituar tashmë,” tha Irma Khoperia, një artiste 55-vjeçare. “Ata kurrë nuk do ta lëshojnë pushtetin me dëshirë. Do ta kthejnë këtë vend në diktaturë.”

Protestues të tjerë u zotuan të kthehen në rrugë deri sa të mbahen zgjedhje të reja.