Deputetja e PD-së Elda Hoti akuzoi Ramën se qeveria e tij ka vjedhur të tashmen dhe të ardhmen e rinisë. Në protestën e opozitës në rrethrrotullimin e Milotit, ajo tha se narkoregjimi i Ramës diskriminon veriun e vendit që është lënë në harresë.
“Narkoregjimi ka vjedhur të tashmen dhe të ardhmen e rinisë. Rama diskriminon veriun. Sot veriu i Shqipërisë është lënë në harresë totale. Varfëria e mjerimi është ulur këmbëkryq në çdo familje shqiptare. Maxhoranca e ka kthyer parlamentin në një zyrë noteriale të aferave korruptive.” – tha Hoti.
Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm Noka tha se opozita nuk do ndalet në aksionin e saj deri në plotësimin e kërkesave për lirimin e krerëve të opozitës Berisha e Meta dhe deputetit Salianji dhe garantimin e zgjedhjeve të lirae të ndershme.
“Duhet të lirohen krerët e opozitës, Berisha, Meta dhe deputeti Salianji. Këto janë çështje për të cilat ne nuk do lëshojmë pe. Të garantohen zgjedhje të lira e të ndershme. Kauza e opozitës është më e drejtë për çdo qytetar që i thotë kombit komb, është kauzë për Shqipëri demokratike. Jemi në mosbindje civile, vazhdojmë me akte të tjera. Ne do bëjmë gjithçka në betejën tonë. Do vazhdojmë derisa ta rrëzojmë në gjunjë regjimin. Ne duam që të frenohet shpopullimi, që shqiptarët mos të jenë të varfër. Shqipëria ecën përpara me zgjedhje të lira. Shqiptarët që jetojnë në Shqipëri 5 përqind jetojnë në luks dhe 95 përqind jetojnë në varfëri. Narkopolicia të mësojë se çfarë është mosbindja civile.” – tha Noka.