Vendosni fjalën kyçe....

Trupa të pajetë gjenden pas reshjeve të dendura që sollën përmbytje të rrëmbyeshme në Spanjë


Disa trupa të pajetë janë zbuluar nga punonjësit e emergjencës pasi reshjet e dendura shkaktuan përmbytje të rrëmbyeshme në pjesën jugore dhe lindore të Spanjës, duke ndërprerë rrugët dhe shërbimet e trenave të shpejtësisë së lartë.

Ujëra të furishme ngjyrë balte përfshinë qytetin Letur në provincën lindore të Albacetes të martën, duke tërhequr makina nëpër rrugë, treguan pamjet e transmetuara në televizionin spanjoll.

Kreu i rajonit lindor të Valencias njoftoi të mërkurën herët se disa trupa të pajetë janë gjetur në zonat e prekura nga përmbytjet, pa specifikuar numrin e saktë.

 “Janë gjetur trupa të pajetë, por nga respekti për familjet, nuk do të japim të dhëna të mëtejshme,” deklaroi Carlos Mazon.

Punonjës të shërbimeve të emergjencës të mbështetur nga dronë po kërkojnë për gjashtë persona të zhdukur si pasojë e përmbytjeve në qytet, tha për televizionin publik spanjoll TVE përfaqësuesja e qeverisë qendrore në Castilla-La Mancha, përcjell The Guardian.

Prioriteti është të gjejmë këta persona,” shtoi ajo.

Policia në qytetin L’Alcúdia të Valencias raportoi se janë në kërkim të një shoferi kamioni që rezulton i zhdukur që prej pasdites.

“Këto raporte për persona të zhdukur dhe dëmet e shkaktuara nga stuhia në orët e fundit i ndjek me shqetësim,” shkroi kryeministri Pedro Sánchez në platformën X, duke i këshilluar qytetarët të ndjekin udhëzimet e autoriteteve. “Tregohuni shumë të kujdesshëm dhe shmangni udhëtimet e panevojshme,” shtoi ai.

Dymbëdhjetë fluturime që do të zbarkonin në aeroportin e Valencias janë devijuar drejt qyteteve të tjera në Spanjë për shkak të reshjeve të dendura dhe erërave të forta, raportoi operatori spanjoll i aeroporteve, Aena. Dhjetë fluturime të tjera që ishin planifikuar të niseshin ose të mbërrinin në aeroport u anuluan.

Operatori kombëtar i infrastrukturës hekurudhore ADIF njoftoi se ka pezulluar trenat e shpejtësisë së lartë mes Madridit dhe portit lindor të Valencias për shkak të dëmeve që stuhia ka shkaktuar në pikat kryesore të rrjetit hekurudhor të rajonit të Valencias.

Një tren i shpejtësisë së lartë me 276 pasagjerë doli nga shinat në rajonin jugor të Andaluzisë, por fatmirësisht askush nuk u lëndua, tha qeveria rajonale në një deklaratë.

Shërbimet e emergjencës shpëtuan dhjetëra njerëz në Álora të Andaluzisë, disa prej tyre me helikopter, pasi një lumë doli nga shtrati.

Agjencia shtetërore e motit AEMET shpalli alarm të kuq në rajonin e Valencias dhe nivelin e dytë më të lartë të alarmit në pjesë të Andaluzisë. Disa rrugë janë mbyllur në të dy rajonet për shkak të përmbytjeve.

Reshjet intensive i atribuohen një fenomeni të njohur si gota fría ose “pika e ftohtë,” që ndodh kur ajri i ftohtë kalon mbi ujërat e ngrohta të Detit Mesdhe, duke krijuar një destabilizim atmosferik që shkakton ngritjen e shpejtë të ajrit të ngrohtë dhe të ngopur, e cila formon re të dendura kumulonimbus dhe sjell reshje të mëdha shiu në pjesën lindore të Spanjës.

Shkencëtarët paralajmërojnë se moti ekstrem si valët e të nxehtit dhe stuhitë po bëhen më të forta si pasojë e krizës klimatike.