Kreu i Partisë së Lirisë Meta ka reaguar sërish lidhur me arrestimin e tij më 21 tetor, të cilin e cilëson rrëmbim banditesk nga persona pa shenja dalluese policore dhe të armatosur rëndë, të cilët nuk i kanë treguar asnjë vendim gjykate.
Në një reagim të gjatë në Facebook, ai kërkon një hetim të plotë të arrestimit të tij dhe respektimin e të drejtave të tij kushtetuese ndërsa thekson se gjatë operacionit janë kryer një sërë shkeljesh nga personat e përfshirë.
Meta shkruan se arresti i tij është i paligjshëm, i pabazuar në fakte e prova, në shkelje të të drejtave të njeriut dhe standardeve ndërkombëtare.
Ai thekson se ligjet e përdorura si bazë për urdhrin e arrestimit ishin të shfuqizuara dhe se veprimet e kryera nga agjentët e maskuar shkelin kompetencat e Forcave Speciale dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Kreu i PL-së argumenton se urdhrat e lëshuara nga SPAK bazohen në ligje të vjetra dhe se kjo bie në kundërshtim me standardet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), që kërkon të drejta të qarta dhe të mbrojtura për personat e ndaluar.
Meta shton se ai nuk mund të rrezikojë asnjë provë nga ato që pretendon SPAK janë në celularët e bashkëshortes së tij Kryemadhi dhe grupit të saj të ngushtë, të cilat SPAK i ka prej11 muajsh.
Në fund kreu i PL-së shkruan se rrëmbimi i tij dhe shkelja e ligjit nga SPAK e Gjykata kanë qëllim politik izolimin e tij për të penguar veprimtarinë opozitare dhe se procesi ndaj tij është i montuar, poliitik e banditesk.
Argumentet kryesore të parashtruara nga Meta në postimin e tij
Njoftimi i paplotë i të drejtave: Meta shkruan se nuk i është komunikuar vendimi gjyqësor për arrestimin dhe nuk i është dhënë mundësia të kontaktojë avokatin, duke shkelur kështu të drejtat kushtetuese dhe të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Zbatimi i ligjit të vjetër: Urdhrat e arrestimit nga prokurorwt e SPAK-ut Dumani, Kraja e Kllapi bazohen në një ligj të shfuqizuar (ligji nr. 8331) i cili nuk ka më fuqi juridike. Urdhri duhet të mbështetej në ligjin e ri, të miratuar më 2020.
Veprime të tejkalimit të kompetencave: Autoritetet që kryen arrestimin janë akuzuar se shkelën ligjin, pasi vepruan jashtë kompetencave që i jep ligji, duke përdorur Forcat Speciale në vend të BKH-së, pa mbështetje ligjore dhe në kundërshtim me dispozitat.
Mungesa e një arsyetimi të mjaftueshëm për masën e sigurisë: Meta citon GJEDNJ, e cila kërkon që çdo masë sigurie të bazohet në prova konkrete dhe të arsyetuara. Këtu argumentohet se masat janë vendosur në bazë të rrezikut të supozuar dhe jo provave konkrete.
Prezumimi i pafajësisë: Argumentohet se masa e sigurimit “Arrest në burg” nuk përputhet me parimin e prezumimit të pafajësisë, pasi të dyshuarit duhet të trajtohen si të pafajshëm derisa të provohet e kundërta në gjykatë.
Dispozita diskriminuese: Meta pretendon se caktimi i masës së sigurisë për të dhe jo për të tjerë në hetim përbën diskriminim dhe ka motive politike.