Vendosni fjalën kyçe....

“Nga Amnistia Penale përfituan zyrtarë të dënuar për korrupsion” – Gjetjet e progres raportit për Shqipërinë


Shqetësim ka shprehur progres raporti i vitit 2024 i BE-së për Shqipërinë edhe për Amnistinë Penale që u miratua me votat e PS-së dhe PD-së së Berishës.

Sipas progres raportit, nga amnistia kanë përfituar 105 të dënuar nga Gjykata e Posaçme dhe se Shqipëria duhet të heqë dorë nga  çdo veprim nëse ai ka ndikim në luftën e SPAK-ut kundër korrupsionit.

“Në prill të vitit 2024, Shqipëria miratoi një ligj që u jep amnisti rreth 700 të burgosurve dhe ul dënimin e mbi 400 individëve, përfshirë zyrtarë të nivelit të mesëm, nënkryetarë bashkie dhe sekretarë të përgjithshëm të dënuar për korrupsion. Gjithsej 40 persona të dënuar nga gjykatat e SPAK-ut morën falje të plotë dhe 65 personave iu reduktuan dënimet sipas këtij ligji. Gjithashtu, 12 persona nën mandatin e SPAK kanë përfituar nga amnistia për ndjekjen penale dhe çështja e tyre është pushuar. Shqipëria duhet të abstenojë nga çdo veprim, përfshirë legjislacionin e amnistisë, i cili ka një ndikim negativ në luftën e SPAK-ut kundër korrupsionit. Numri i raporteve të sinjalizuesve mbetet i ulët. Gjatë vitit 2023, ILDKPKI ka shqyrtuar 13 denoncime të reja dhe një kërkesë për mbrojtje kundër hakmarrjes, si dhe është vendosur gjobë administrative në 11 raste. Perceptimi tek publiku, ekspertët dhe bizneset është se ka një nivel të lartë korrupsioni në sektorin publik. Ky perceptim ka mbetur relativisht i qëndrueshëm në vitet e fundit”, thuhet në progres raport.