Vendosni fjalën kyçe....

9-mujori, borxhi ulet në 55,45% të PBB-së


Borxhi publik është ulur me shpejtësi pas pandemisë duke e çliruar qeverinë nga barra e pagesave dhe duke i dhënë mundësi për më shumë investime në sektorin e infrastrukturës, shëndetëisë dhe arsimit.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave borxhi publik arriti në 55.4% të PBB-së në fund të 9 mujorit duke u ulur me 2.1 pikë për qind në krahasim me fundin e vitit 2024.

Ministria e Financave pret niveli i borxhit publik në raport me PBB-në në fund të vitit 2024 parashikohet të ulet në rreth 56.3%, ndërkohë që në fund të vitit 2025 planifikohet në nivelin prej 55.8%.

Gjithsesi, niveli i pritshëm i borxhit mbetet në varësi të realizimit të planit të huamarrjes gjatë pjesës së mbetur të vitit 2024 dhe gjatë 2025. Huamarrja e brendshme gjatë vitit 2025 planifikohet në një vlerë prej 50 miliardë lekësh, në të njëjtin nivel me vitin 2024.

Në rast se kushtet e tregut do të jenë të favorshme, Ministria e Financave planifikon që gjatë vitit 2025 të emetojë një Eurobond. Në total huamarrja e huaj gjatë vitit 2025 vlerësohet të jetë rreth 111.3 miliardë lekë dhe duke konsideruar borxhin e huaj që ripaguhet gjatë vitit, huamarrja neto pritet të rezultojë në nivelin 8.2 miliardë lekë.

Sa i përket zhvillimeve më të fundit të normave të interesit, në tregjet ndërkombëtare kushtet financiare vijojnë të mbeten të shtrënguara, duke reflektuar nivelin ende të lartë të normave bazë të interesit

Pavarësisht, uljes së normës bazë në tregun vendas dhe uljes së normave bazë në tregun e huaj, portofoli aktual i borxhit ka në stok instrumente të cilat janë emetuar në kushtet e normave të rritura të interesit, të cilat japin efekt deri në përfundim të afatit të maturimit të këtyre instrumeve.

Bazuar në normat më të fundit të interesit, si edhe bazuar në nivelin e huamarrjes së brendshme dhe asaj të jashtme për vitet 2024 dhe 2025, shpenzimet për interesa në tregun e huaj pritet të jenë në nivele të krahasueshme me vitin 2024, ndërkohë në tregun e brendshëm shpenzimet për interesa janë planifikuar me një rritje prej rreth 3.4 mld lekë krahasuar me vitin 2024.

Për sa i përket ripagesave të borxhit të jashtëm (principali), në vitin 2025 planifikohen të jenë në vlerën 103.12 mld lekë. Ripagesat në vitin 2025 përfshijnë veç të tjerave edhe maturimin e eurobondit të emetuar në vitin 2018 në vlerën 39.9 mld lekë si edhe maturimin e huas së garantuar nga Banka Botërore në vlerën 200 mln euro.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor