Vendosni fjalën kyçe....

Bilanci i viktimave të përmbytjeve në Spanjë pritet të rritet ndërsa dhjetëra persona janë ende të zhdukur


Operacionet e shpëtimit vazhdojnë ndërsa Spanja përballet me katastrofën më të rëndë të përmbytjeve në dekada, me të paktën 95 viktima të konfirmuara dhe dhjetëra të tjerë të zhdukur, pas reshjeve të mëdha që përfshinë provincën lindore të Valencias dhe zonat përreth.

Reshjet e dendura të martën shkaktuan përmbytje të rrëmbyeshme që shkatërruan ura dhe ndërtesa, duke detyruar banorët të ngjiteshin mbi çatitë apo të kapeshin pas pemëve për të mbijetuar.

 Kryeministri Pedro Sánchez shpalli tri ditë zie kombëtare ndërsa kushtet ekstreme po vazhdojnë, duke kufizuar përpjekjet për shpëtim.

Numri i viktimave pritet të rritet pasi “ka shumë persona të zhdukur,” thotë qeveria.

Në Valencia janë raportuar të paktën 92 vdekje, dy në Castilla-La Mancha dhe një në Málaga – një britanik 71-vjeçar që ndërroi jetë në spital pas shpëtimit nga banesa e tij.

Ky bilanc viktimash është më i larti në vend që nga viti 1973, kur përmbytjet në juglindje të vendit morën jetën e të paktën 150 personave, sipas BBC.

Në një fjalim kombëtar të mërkurën, Sánchez i bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë vigjilentë dhe premtoi një rikuperim të plotë, duke u shprehur: “E gjithë Spanja qan me ju… nuk do t’ju braktisim.”

Në një nga qytetet e para të prekura afër Valencias, Chiva, u regjistrua një sasi reshjesh sa për një vit të tërë brenda vetëm tetë orësh, sipas agjencisë kombëtare të motit, Aemet.

Ndërsa forcat e ushtrisë spanjolle dhe ekipet e emergjencës nxituan të kryenin shpëtimet të mërkurën në mëngjes, të mbijetuarit në Valencia përshkruan tmerrin e përmbytjeve të së martës në mbrëmje.

“Uji erdhi si një cunami,” tha Guillermo Serrano Pérez, 21 vjeç nga Paiporta pranë Valencias, duke shpjeguar se uji e detyroi atë dhe prindërit e tij të braktisnin makinën dhe të ngjiteshin mbi një urë për të mbijetuar.

Një dëshmitar tjetër përshkroi sesi drejtuesit e makinave në autostradë formuan një zinxhir njerëzor për të shpëtuar mbi një shirit të ngritur kur panë ujin që i afrohej.

“Faleminderit Zotit, askush nuk rrëshqiti sepse nëse dikush do të kishte rënë, rrjedha do ta kishte tërhequr larg,” tha Patricia Rodriguez, 45 vjeç për gazetën *El País*.

Ka akuza të shumta në Spanjë se autoritetet e ndihmës së katastrofave nuk vepruan mjaftueshëm shpejt për të lëshuar paralajmërimet, duke bërë që njerëzit të mos kishin kohë të largoheshin nga rrugët apo të kërkonin terrene të larta.

Agjencia e mbrojtjes civile lëshoi një alarm vetëm në orën 20:15 të mbrëmjes të martën, ndërkohë që Chiva dhe disa qytete të tjera ishin përmbytur për të paktën dy orë.

Qeveria rajonale e Valencias është gjithashtu nën kritika për vendimin e saj për të hequr Njësinë e Emergjencave të Valencias, e cila ishte krijuar nga qeveria e mëparshme për t’u marrë me fatkeqësitë natyrore si përmbytjet dhe zjarret.

Spanja dislokoi më shumë se 1,000 trupa për të ndihmuar me përpjekjet e shpëtimit të mërkurën, por shumë ekipe mbeten të izoluara nga qytetet për shkak të rrugëve të përmbytura dhe linjave të ndërprera të komunikimit dhe të energjisë.

 Bashkimi Evropian ka aktivizuar sistemin satelitor Copernicus për të ndihmuar koordinimin e ekipeve të shpëtimit spanjolle, ndërsa fqinjët evropianë gjithashtu kanë ofruar ndihma të tjera.

Zbutja e reshjeve të dendura ka lehtësuar situatën në qendër-lindje të vendit të mërkurën, por meteorologët paralajmërojnë se reshjet po zhvendosen drejt veri-lindjes në rajonin e Katalonjës.

Paralajmërime për reshje të dendura janë lëshuar gjithashtu në disa pjesë të tjera të vendit, duke iu kërkuar njerëzve të përgatiten për përmbytje dhe të kërkojnë strehim.

Ndër faktorët që kontribuojnë në përmbytje është edhe një atmosferë më e ngrohtë e shkaktuar nga ndryshimet klimatike, gjë që rrit mundësinë e reshjeve të dendur.

Fenomeni meteorologjik që shkaktoi reshjet intensive është një gota fría ose “pika e ftohtë”, një ngjarje natyrore që godet Spanjën në vjeshtë dhe dimër kur ajri i ftohtë zbret mbi ujërat e ngrohta të Mesdheut. Megjithatë, temperaturat globale të rritura kanë çuar në ngarkimin e reve me më shumë reshje.