Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike po zhvillon një takim në selinë blu, në përgatitje për seancën plenare që do të nisë në orën 10:00, nën drejtimin e zëvendëskryetarit të Kuvendit, Bledi Çuçi.
Pas tensioneve të mëparshme në hyrje të Kuvendit, ku deputetët e përjashtuar u përplasën me Gardën, pritet një atmosferë e qetë. Deputetët e opozitës ishin përpjekur të pengonin kolegët e mazhorancës të hynin në Kuvend, por socialistët arritën të shmangin tensionet.
Rendi i ditës përfshin diskutime mbi projektligjin “Për shkencën dhe kërkimin shkencor”, si dhe për ndryshime në ligjin për shërbimin e kërkim-shpëtimit dhe në ligjin për fondin kullosor.
Rendi i ditës:
Sipas njoftimit të Kuvendit, seanca plenare pritet të nisë në ora 10:00 nën drejtimin e zëvendëskryetarit të Kuvendit Çuçi.
Pas miratimit të procesverbalit të seancës plenarë të datës 28 tetor 2024, do të diskutohet projektligji “Për shkencën dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”.
Në rend dite është parashikuar diskutimi për projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për shërbimin e kërkim-shpëtimit në Republikën e Shqipërisë” si dhe projektligji për një ndryshim në ligjin, “Për fondin kullosor”, i ndryshuar.
Gjatë seancës plenare do të diskutohet edhe dekreti i kthyer nga presidenti Bajram Begaj, për ligjin “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
Po ashtu në rend dite është edhe projektvendimi “Për zgjatjen e afatit të Komisionit Hetimor “Për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-up-it në Shëndetësi” si dhe projektvendimi “Për miratimin e strukturës, organikës dhe klasifikimin e pagave të personelit me kohë jo të plotë pune të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”.