Kreu i grupit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i është përgjigjur ambasadorit të Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato, pas deklaratave të tij për rolin e opozitës në Kuvend. Bardhi publikoi një foto të deputetëve të përjashtuar jashtë Kuvendit dhe theksoi se kjo përbën realitetin e vërtetë, duke shtuar se fshehja e këtij realiteti nuk ndihmon Shqipërinë.
Ai theksoi se opozita është përjashtuar pa ligj dhe se rregullorja që e mundësonte këtë ka qenë e shfuqizuar prej tre muajsh nga Gjykata Kushtetuese. “Fshehja e vërtetës pas fjalëve të bukura nuk e ndihmon Shqipërinë,” deklaroi Bardhi.
Bardhi shtoi se parlamentarizmi duhet të bazohet në respektimin e Kushtetutës, dhe se shkelja e saj dëmton mundësinë për bashkëjetesë mes mazhorancës dhe opozitës.
“Bëhet thirrje që opozita të luaj rolin e saj brenda Parlamentit; ndërkohë mundësia e opozitës për të hyrë brenda dhe pastaj për të patur mundësi të luaj rolin e saj brenda Parlamentit paraqitet kështu në realitet!
Fshehja e realitetit/të vërtetës pas fjalëve të bukura, nuk e ndihmon Shqipërinë! Realiteti/e vërteta është që opozita është përjashtuar nga Kuvendi PA LIGJ dhe me një rregull që është shfuqizuar prej 6 muajsh nga Gjykata Kushtetuese.
Parlamentarizimi ka në themel të tij respektimin e Kushtetutës, si mundësia e vetme e bashkëjetesës mes palëve që mendojnë ndryshe. Nëse shkelet Kushtetuta në vazhdimësi mundësia për bashkëjetesë parlamentare mes mazhorancës dhe opozitës ZEROHET”, shkruan Bardhi.