Vendosni fjalën kyçe....

Energjia, KESH mbuloi vetëm 45% të konsumit të energjisë deri në fund të shtatorit


Prodhimi neto i energjisë në vend arriti në fund të shtatorit në 5.88 milionë MWh.

Të dhënat zyrtare të tregut të energjisë për 9 mujorin tregojnë se peshën kryesore në këtë prodhim ka vijuar nga mbajë Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) me 3.3 milionë MWh energji apo rreth 56 për qind të totalit.

Pranë Furnizuesit të Shërbimit Universal, KESH ka kaluar një sasi më të madhe energjie sesa prodhimi i saj duke shtuar këtu edhe blerjet në tregun e lirë. Konkretisht pranë FSHU janë kaluar 3.4 milionë MWh energji apo 3.1 për qind energji së shumë se prodhimi që vetë Korporata ka pasur gjatë periudhës janar-shtator.

Ndërkohë konsumi në vend rezulton 6 milionë MWh energji deri në fund të muajit shtator apo 2.7 për qind më shumë sesa prodhimi neto vendas.

Këtë konsum të paktën në 45 për qind të saj e ka mbuluar prodhimi i KESH ndërsa pjesa tjetër duket se janë siguruar nga tregu i lirë çka përfshin ndër të tjera shkëmbimi që mund të jetë bërë nga kompania e gjenerimit, blerjet në tregun e lirë nga Furnizuesi i Tregut të Lirë që është pjesë e OSHEE-së si dhe konsumi që është bërë nga bizneset në tregun e liberalizuar.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se Operatori i Sistemit të Transmetimit ka siguruar 1 milionë MWh energji për humbjet në rrjetin e shpërndarjes.

Vetë Furnizuesi i Tregut të Lirë ka arritur të blejë në total gjatë janar-shtator 1.94 milionë MWh apo 32.2 për qind të konsumit total në vend.

Burimet nga është siguruar kjo energji janë HEC-i Lanabregas, HEC-et koncesionarë që janë prodhues me përparësi të energjisë me kapacitet deri në 15 MW që janë të lidhur në rrjetin e OSSH, HEC-e të tjera të lidhura në rrjetin e transmetimit blerje nga Ashta si dhe blerje në tregun e liberalizuar dhe nga fotovoltaikët.

Përveç Karavastasë që tashmë ka kohë në funksion, prodhimi në fotovoltaikë është zgjeruar edhe me SPV Blue 1 dhe Nova Solar si dhe disa projekte të vogla fotovolatikësh që janë impiante deri në 2 MW.

Në total prodhimi nga fotovoltaikët deri në fund të shtatorit arriti sa 2.72 për qind e prodhimit total neto të energjisë në vend. /N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor