Spanja është goditur rëndë nga përmbytjet më të këqija në dekada, pasi shiu i një viti ra në vetëm disa orë këtë javë në rajonet jugore dhe lindore të vendit.
Stuhia filloi të martën dhe deri tani ka marrë jetën e të paktën 155 personave, sipas autoriteteve në rajonin më të goditur Valencia, ndërsa dhjetëra të tjerë mbeten të zhdukur. Ajo gjithashtu ka përmbytur qytete dhe rrugë, ka bërë që lumenjtë të dalin nga shtrati dhe të lënë mijëra pa energji elektrike e ujë të rrjedhshëm.
Valencia pa reshjet e saj më të mëdha në 28 vjet me njerëzitqë u zunë në befasi dhe mbetën të bllokuar në bodrumet dhe katet e poshtme të ndërtesave.
Punonjësit e urgjencës janë ende duke luftuar për të shpëtuar ata që janë bllokuar, me operacionet në vijim për gjetjen e trupave dhe pastrimin e mbeturinave.
Çfarë ka ndodhur deri tani
Rajonet lindore dhe jugore të Spanjës shpesh shohin shi vjeshte, por shirat e këtij viti ishin të paparë. Shumica e vdekjeve ndodhën në Valencia, që ndodhet përgjatë bregdetit të Mesdheut dhe është shtëpia e më shumë se 5 milionë njerëzve.
Përmbytjet e befta në rajon, një pikë e nxehtë turistike gjatë muajve të verës, panë fshatra rurale të zhytura në ujë dhe i bënë autostradat kryesore të papërdorshme të martën mbrëma dhe të mërkurën.
Një gjykatë u kthye në një morg të përkohshëm në kryeqytetin e rajonit, qytetin e Valencias.
Të paktën 40 persona, gjashtë prej të cilëve ishin në një azil të moshuarish, vdiqën në qytetin Paiporta, njoftoi agjencia spanjolle e lajmeve EFE, duke cituar kryebashkiakun e saj.
Trenat janë pezulluar në Valencia, si dhe shërbimet e tjera publike në rajonet e tjera të prekura. Shkollat, muzetë dhe bibliotekat publike u mbyllën të enjten, sipas qeverisë lokale.
Përmbytje u raportuan gjithashtu në dhe rreth qyteteve Murcia dhe Malaga që panë më shumë se 100 mm shi që ranë në disa zona. Në Malaga, në rajonin e Andaluzisë në bregun jugor të Spanjës, një britanik 71-vjeçar vdiq nga hipotermia, tha kryebashkiaku i qytetit.
Në lagjen La Torre të Valencias, ku uji u ngrit në nivelin e gjoksit, vullnetarët dolën në rrugë të enjten.
Disa nga banorët vendas shprehën zhgënjimin para një grupi gazetarësh të CNN në terren, duke thënë se ata nuk u paralajmëruan nga qeveria se do kishte përmbytje apo mundësi derisa ajo ndodh.
Më shumë se 1000 ushtarë janë vendosur për të ndihmuar në përpjekjet e shpëtimit, tha ministrja e Mbrojtjes e Spanjës Margarita Robles. Disa zona mund të arriheshin vetëm me helikopter.
Udhëheqësi rajonal i Valencias, Carlos Mazon, u tha gazetarëve të mërkurën herët se trupat u gjetën ndërsa ekipet e shpëtimit filluan të arrinin në zonat e shkëputura më parë për shkak të përmbytjeve. Që nga mëngjesi i së enjtes, shërbimet e urgjencës thanë se kishin arritur në të gjitha zonat e prekura.
Qeveria spanjolle dërgoi alarme emergjente të martën duke u kërkuar njerëzve të qëndrojnë brenda ose të ngjiten në terrene të larta. Sipas Agjencisë Meteorologjike të Spanjës, AEMET, kishte paralajmërime për reshje të mëdha në disa zona, përfshirë Valencian. Këto paralajmërime flisnin edhe për mbi 200 mm shi në më pak se 12 orë.
Megjithatë shumë njerëz u kapën në befasi. Disa dolën në mediat sociale për të shfryrë zhgënjimet e tyre, duke pretenduar se e morën alarmin e urgjencës në mes të stuhisë.
Hannah Cloke, një profesore e hidrologjisë në Universitetin e Reading në Mbretërinë e Bashkuar, tha se numri i lartë i vdekjeve sugjeron se sistemi rajonal i alarmit në Spanjë dështoi.
“Është e tmerrshme të shohësh kaq shumë njerëz që vdesin nga përmbytjet në Evropë, kur parashikuesit e motit kishin parashikuar sërish reshje të mëdha dhe kishin bërë paralajmërime.” – tha Cloke për CNN.
“Kjo sugjeron se sistemi për paralajmërimin e njerëzve mbi rreziqet e përmbytjeve në Valencia ka dështuar, fatkeqësisht me pasoja fatale. Është e qartë se njerëzit thjesht nuk dinë çfarë të bëjnë kur përballen me një përmbytje ose kur dëgjojnë paralajmërime.”
Kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez ofroi mbështetje, duke u zotuar se qeveria e tij do bënte gjithçka mundej për të ndihmuar viktimat e përmbytjeve.
Qeveria spanjolle ka dekretuar gjithashtu tre ditë zie zyrtare, duke filluar nga e enjtja.
Mijëra në periferi të Valencias ishin ende pa energji dhe ujë të rrjedhshëm të enjten, ndërsa operacionet e kërkimit dhe pastrimi i mbeturinave vijuan.
Departamenti Spanjoll i Emergjencave ka lëshuar paralajmërime për motin për shumë rajone. Alarmet portokalli dhe të verdhë mbetën në fuqi në pjesë të izoluara të Valencias, ndërsa shiu vijon në Castellon, një provincë në veri.
Çfarë e shkaktoi katastrofën?
Shiu i rrëmbyeshëm ka të ngjarë të jetë shkaktuar nga ajo që meteorologët spanjollë e quajnë “gota e ftohtë”, ose rënia e ftohtë, e cila i referohet një pellgu ajri më të ftohtë në atmosphere të lartë, që mund të ndahet nga rryma e avionit, duke e bërë atë të lëvizë ngadalë dhe shpesh të çojë në reshje me ndikim të lartë. Kjo dukuri është më e zakonshme në vjeshtë.
Oqeanet më të nxehta nxisin stuhi më të forta dhe Mesdheu pati temperaturën më të lartë të regjistruar në gusht. Ajri më i ngrohtë është gjithashtu në gjendje të mbajë më shumë lagështi, duke e thithur atë si një sfungjer për ta shtrydhur në formën e shiut të rrëmbyeshëm.
Përmbytjet e kësaj jave janë përmbytjet më vdekjeprurëse që ka pësuar Spanja në dekada. Në vitin 1959, 144 njerëz u vranë nga një përmbytje në qytetin spanjoll Ribadelago. Megjithatë, ajo fatkeqësi u shkaktua nga prishja e një dige, që lëshoi ujë nga rezervuari Vega de Tera.
Fatkeqësia e fundit natyrore e krahasueshme ishte në vitin 1996, kur përmbytjet vranë 87 njerëz pranë qytetit Biescas në malet e Pirenejve.
Ndërsa Spanja ka përjetuar stuhi të forta vjeshte në vitet e fundit, asgjë nuk i afrohet shkatërrimit të shkaktuar gjatë ditëve të fundit. Fatkeqësia është e ngjashme me përmbytjet e vërejtura në Gjermani dhe Belgjikë në vitin 2021, të cilat vranë më shumë se 230 njerëz.
VINI RE: Ky material ëështë pronësi intelektuale e CNN
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani