Vendosni fjalën kyçe....

Rusia thotë se gjoba ‘20 plus infinit dollarë’ ndaj Google është simbolike

 

Kremlini ka deklaruar se gjobat astronomike të vendosura ndaj Google janë kryesisht simbolike dhe synojnë t’i bëjnë presion kompanisë amerikane të teknologjisë që të heqë kufizimet ndaj kanaleve pro-Kremlin në YouTube.

Sipas mediave ruse, shuma e përgjithshme e kërkesave ligjore ndaj Google në Rusi ka arritur në dy undecilionë rubla (rreth 20 dekilionë dollarë), një shifër që tejkalon vlerën totale të të gjitha parave në botë.

 Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u shpreh: “Nuk mund ta shqiptoj as këtë numër, por është më shumë një simbolikë.”

Peskov shpjegoi se masa ka për qëllim të tërheqë vëmendjen e Google për të hequr kufizimet që aplikon ndaj transmetuesve rusë në YouTube.

 “Google nuk duhet të kufizojë veprimet e transmetuesve tanë, por e bën këtë,” shtoi ai, përcjell The Guardian.

Që prej nisjes së ofensivës në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, Rusia ka vendosur gjoba të rënda ndaj platformave të mediave sociale që akuzohen për strehimin e përmbajtjeve kritike ndaj Kremlinit ose pro-Ukrainës.

Pavarësisht presionit të vazhdueshëm, YouTube ende mbetet i aksesueshëm në Rusi, por autoritetet kanë kërcënuar disa herë ta bllokojnë atë për shkak të ndalimeve ndaj përmbajtjeve të mbështetura nga shteti rus.