Anëtarja e kryesisë së Partisë Demokratike, Izmira Ulqinaku, ftoi qytetarët shkodranë të marrin pjesë në një marshim proteste të organizuar nga opozita të shtunën, më 2 nëntor, në orën 12:00, para Bashkisë së Shkodrës.
Disa ditë pas deklaratave të kreut të PD-së, Sali Berisha, për vazhdimin e mosbindjes civile në Shkodër, Ulqinaku theksoi se qyteti është shndërruar në një ambient të rrezikshëm, duke e krahasuar atë me Palermon përsa i përket krimit.
Ajo bëri thirrje qytetarëve për të rikthyer rendin dhe sigurinë në Shkodër. “Ditën e shtunë, ne do të marshojmë për liri dhe për të kthyer qetësinë për banorët. Bashkohuni me ne në këtë protestë!” përfundoi Ulqinaku.
“Shkodra, zonja e madhe, tashme është kryeulur nga kthetrat e krimit. Me bekimin e Edi Ramës, qyteti jonë është nënshtruar nga të fortët, të cilët sundojnë qytetin.
Pasiguria ndihet kudo! Situatën nuk e zgjidh dot Rilindja e as banda e policisë. Ata janë palë në fushata, për të ruajtur njëri-tjetrin.
Ky terror që po instalon Edi Rama në Shkodër, do t’i kthehet shpejt në boomerang! Ditën e shtunë, ne do të marshojmë për liri.
Do të marshojmë kundër kthetrave të krimit.
Do të marshojmë për t’i kthyer lavdinë Shkodrës; për t’i kthyer qetësinë banorëve të saj. Do të marshojmë për rendin e sigurinë e munguar.
Bashkohuni me ne, të shtunën, në pedonale para bashkisë, ora 12:00, në marshim!”, deklaroi përfaqësuesja e PD.